Mbahen sot zgjedhjet lokale në komunat e Kosovës ku rezultati i zgjedhjeve të shkuara doli në balotazh.
Gara për kryeqytetin, Prishtinë, pritet ta marrë vëmendjen kryesore në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Kryeqyteti ka qenë për më shumë se një dekadë simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në balotazhin e kësaj të diele do të përballen Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrullah Çeku i LVV-së.
Dallimi mes tyre në rundin e parë nuk ka mundur të ishte më i vogël, vetëm 0.5 për qind.
Balotazhi sot do të zhvillohet në 18 nga 38 komuna sa ka vendi, pasi këto komuna nuk arritën ta zgjedhin kryetarin në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.
Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti./ REL
