Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, mbërriti këtë të dielë në Washington DC për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara hoqën emrin e tij nga lista e personave të sanksionuar si “terrorist global”.
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Sharaa do të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve pas ndryshimeve të fundit në Damask.
Vetëm pak orë para mbërritjes së tij në Uashington, autoritetet siriane bënë të ditur se kishin arrestuar 71 persona të dyshuar si pjesëtarë të grupit terrorist ISIS, ndërsa konfiskuan armë dhe eksplozivë.
Vizita e presidentit të Sirisë në Washington vjen 11 muaj pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad-it, duke i dhënë fund më shumë se një dekadë lufte civile në Siri.
Sipas burimeve diplomatike, lufta kundër ISIS-it dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Sirisë pritet të jenë temat kryesore të diskutimit mes Sharaas dhe Trumpit.
Departamenti amerikan i Thesarit konfirmoi të premten se Sharaa dhe ministri i tij i Brendshëm, Anas Hasan Khattab, janë hequr nga lista e personave të dyshuar për mbështetje të terrorizmit.
Sharaa, i njohur më parë me emrin Muhammad al-Jawlani, ka qenë komandant i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një grup që dikur ishte i lidhur me Al-Kaedën, por që u shkëput nga ajo në vitin 2016.
