Dy rajone të Rusisë që ndodhen në kufi me Ukrainën po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa mbi 20.000 banorë kanë mbetur pa rrymë pas sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike, njoftuan autoritetet lokale ruse, një ditë pas bombardimeve masive ruse në Ukrainë.

Në rajonin Belgorod, që shpesh është në shënjestër të zjarrit ukrainas, guvernatori Vjaçesllav Gladkov deklaroi në Telegram se “rrjeti i furnizimit me energji elektrike dhe ngrohje pësoi dëmtime të rënda” në kryeqytetin me të njëjtin emër.

“Disa rrugë po përballen me probleme në furnizimin me rrymë. Mbi 20.000 banorë janë pa energji elektrike”, shtoi ai.
Mijëra banorë pa energji edhe në rajonin Kursk, gjithashtu në kufi me Ukrainën, ku “shpërtheu një zjarr në një nga instalimet energjetike të fshatit Korenevo”, duke lënë 10 komunitete pa rrymë, njoftuan në Telegram guvernatori Aleksandr Khinshtein.

Edhe në Voronezh, në jugperëndim të Rusisë, një sulm ukrainas me dronë gjatë natës shkaktoi përkohësisht probleme në furnizimin me rrymë dhe ngrohje në qytet, sipas guvernatorit Aleksandr Gusev, i cili sqaroi se shpërtheu zjarr në një instalim të rrjetit të ngrohjes.
Sulmi në Voronezh nuk shkaktoi të plagosur, shtoi ai në Telegram, duke sqaruar se nga ndalimi i disa dronëve me sisteme luftimi elektronike u ndez zjarr në një instalim shërbimesh publike, por që u shua shpejt.

Masat e sigurisë çuan në ndryshime të shkurtra temperature në sistemin qendror të ngrohjes në disa shtëpi dhe ndërprerje të vogla rryme në disa pjesë të qytetit, por furnizimi u normalizua më pas, përfundoi Gusev.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk përmendi dronë të rrëzuar mbi rajonin Voronezh në njoftimin e saj ditor. Ajo raportoi sa UAV shkatërroi, por jo sa u lëshuan nga Ukraina.
U rrëzuan 44 dronë ukrainas Sipas njoftimit, gjithsej 44 dronë ukrainas u rrëzuan ose u ndaluan gjatë natës, përfshirë 43 mbi rajonin kufitar Bryansk dhe një mbi rajonin Rostov në jug të Rusisë.

Ndërkohë, autoritetet lokale të qytetit Taganrog në jug të Rusisë deklaruan sot se disa zona të bashkisë mbetën pa rrymë për shkak të ndërprerjes emergjente të një linje të tensionit të lartë. Autoritetet nuk sqaruan shkakun.

Sulmet po intensifikohen Kievi ka përshkallëzuar sulmet me dronë dhe raketa brenda Rusisë, duke goditur rafineri nafte, depo dhe nyje furnizimi që, siç thotë, ushqejnë makinerinë luftarake të Kremlinit.

Moska i cilëson këto sulme terroriste, ndërsa Kievi thotë se bëhen në vetëmbrojtje legjitime ndaj luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt 2022. Dje, e shtunë, Rusia kreu sulme masive ndaj rrjetit elektrik, gazit dhe hekurudhave ukrainase.

Ky sulm shkaktoi ndërprerje rryme dhe dëme të mëdha në termocentrale ukrainase, duke u marrë jetën 7 personave, sipas zyrtarëve ukrainas.
Gjatë natës nga e shtuna në të diel, forcat ruse lëshuan 69 dronë ndaj Ukrainës, nga të cilët 34 u rrëzuan, sipas forcave ajrore ukrainase.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb