Zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan këtë të diel në 5 bashki të vendit, shënuan numrin më të ulët të pjesëmarrjes në votime, të regjistruar në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në bashkitë e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit votuan vetëm 18.72% e qytetarëve me të drejtë vote.
Ky është rekordi më negativ përsa i përket përfshirjes së qytetarëve në procesin më të rëndësishëm vendimmarrës për pushtetin vendor, atë të zgjedhjes së kryetarit të Bashkisë.
Referuar zgjedhjeve vendore të vitit 2023, pjesëmarrja ishte 38.23%, ndërsa në vitin 2019 kur Partia Socialiste votoi e vetme pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet. pjesëmarrja ishte 22.96%.
Por cilat janë arsyet e bojkotit të zgjedhjeve të 9 nëntorit?
Sipas një analize, një nga arsyet pse qytetarët nuk dolën të votojnë është injorimi i procesit nga partitë politike. Si rrallëherë, asnjë nga partitë e mëdha nuk u angazhua në fushatë dhe asnjë nga drejtuesit e lartë të tyre nuk doli në terren.
Teksa vëmendja e dy partive të mëdha u fokusua tek zgjedhjet në Tiranë, megjithëse vijonte beteja ligjore në gjykatën Kushtetuese, ku ish-kryebashkiaku Erion Veliaj kishte ankimuar vendimin e shkarkimit, në 5 bashkitë e tjera nuk u zhvilluan takime elektorale, hapje apo mbyllje të fushatës, asnjë debat televiziv.
Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, opozita nuk kandidoi në zgjedhjet e 9 nëntorit me kandidatët e saj por mbështeti disa kandidatë të pavarur, duke mos arritur ta angazhojë drejtpërdrejt elektoratin e saj.
Në këtë mënyrë, partitë politike nuk bënë asgjë për të motivuar qytetarët, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë morale procesit.
Nga rezultatet e publikuara prej KQZ, një kryetar bashkie që zgjidhet me më pak se 20% të votave, nuk mund të përfaqësojë shumicën e qytetarëve të bashkisë që do të drejtojë.
Zgjedhjet e sotme treguan se nëse partitë politike do të heqin dorë nga proceset zgjedhore, qytetarët nuk do t% dëshirojnë të marrin pjesë, duke çuar në dështimin e procesit.
