Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot para mediave se opozita do të ndërmarrë një aksion për të rikthyer funksionimin normal të Parlamentit, sipas rregullores dhe parimeve demokratike.
Berisha theksoi se vendimi i PD është që të shkojë në Komisionet parlamentare, për të garantuar rikthimin e Kuvendit në “bazën e rregullores”.
“Do të kthejmë Kuvendin në bazën e rregullores. Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e Parlamentit. Nuk ka ndonjë surprizë — shkoni nesër në komisione dhe do ta shihni. Vendimi është i prerë,” – deklaroi Berisha.
Ai shtoi se veprimet e opozitës do të synojnë “rikthimin në rrugën e duhur të Parlamentit”, duke e cilësuar institucionin aktual si një strukturë shtypëse.
“Sot për sot, parlamenti është një institucion opresiv,” – tha Berisha.
DISKUTIMI ME GAZETARET
Grupi parlamentar i PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që i takojnë për ti rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë, për të kthyer parlamentin e Shqipërisë, në parlament që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së parlamentit.
Pyetje: Si do e bëni këtë?
Sali Berisha: Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e parlamentit, funksionimin e tij mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vetë parlamentit.
Pyetje: Bojkoti ishte vetëm për sot, do ketë deputetë nesër në komisione.
Sali Berisha: Ndonjë surprizë. Ju shkoni nesër në komisione dhe shifni. Edhe pasnesër.
Pyetje: A pati vendim, do shkoni apo jo në Komisione?
Sali Berisha: Vendimi është i prerë, do të bëhet çdo përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij, mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve.
Pra, nëse sot për sot, parlamenti funksionon i tëri jashtë përcaktimeve të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit;
Sot për sot, parlamenti është një instrument opresiv ndaj opozitës;
Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë.
Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh.
Pyetje: Si do të arrini këtë, cili është plani juaj?
Sali Berisha: Absolutisht do të përdorim të gjitha mjetet, gjersa parlamenti të funksionojë.
Pyetje: A i keni përdorur dhe më parë këto mjete?
Sali Berisha: Edhe po edhe jo…
Pyetje: Nesër do shkojnë deputetët në Komisionet parlamentare.
Sali Berisha: Bojkoti nuk është opsion. Ne e kemi të ndaluar bojkotin.
