Kreu i ‘Mundësia’, Agron Shehaj, teksa ka komentuar përgjimet dhe hetimeve ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, theksoi deklaruar se situata është “skandaloze” dhe se mbajtja e saj në detyrë tregon se “pushteti po e mbron”. Ai tha në emisionin ‘Log’ në News24 se Rama po e mbron politikisht. “Ka një moment që pasi dalin përgjimet, pasi del akuza, pasi Balluku është nën hetim, publiku priste dorëheqjen e saj ose shkarkimin nga Rama. Prokuroria ka gjetur prova, pra është bindur. Ne kemi prova se si këta komunikonin me njëri-tjetrin. Kjo ka vlerë jo vetëm politike, por edhe penale,” -tha Shehaj.
Sipas tij, nga përgjimet del qartë mënyra se si Balluku ka ndërhyrë në tendera dhe ka komunikuar drejtpërdrejt me vartësit e saj. “Ajo vendos çdo gjë në telefon. I thotë vartësit: je i besuari im, do të hapësh tenderin. I tregon ofertat, flasin në telefon: jo kjo ofertë është shumë e ulët, thotë ajo. Një herë më thanë 40 përqind, pastaj e kuptuan se nuk isha i lumtur. Si fillim u dha 40, më pas e lamë 60. Kjo është bandë grabitëse. Është e qartë që po vjedhin.”, pohoi ai.
Shehaj e akuzoi kryeministrin Edi Rama se është bërë pjesë e kësaj skeme përmes heshtjes dhe mbrojtjes politike që po i jep Ballukut.
“Cila është sjellja politike e kësaj qeverie? E kuptoj që Rama thotë se nuk bëjmë asgjë me flamurin e PS-së. Deri dje paskan qenë vjedhje pas shpine. Por kur Balluku thotë prit t’i them atij që kërcënon, atëherë s’ka më alibi. Të na bëjnë kaq budallenj, sikur Rama nuk dinte gjë për Llogaranë? Për aeroportin e Vlorës?”, shtoi ai.
Shehaj theksoi se nëse dikur Rama pretendonte se nuk kishte dijeni për aferat korruptive, sot ai po i mbron hapur.
“Nëse Rama i ka ‘lëshuar’ disa ministra më parë, duke thënë ‘nuk kam ç’të bëj’, tani fabula ka ndryshuar. Është hera e parë që Rama mban dikë në detyrë dhe nuk e shkarkon. Balluku po mbrohet nga pushteti. Kush është i pafajshëm, zhvishet nga pushteti dhe përballet me drejtësinë. Këta jo, sepse e dinë se janë fajtorë.”, pohoi ai.
