Nuk ka fund “lufta” mes Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Barcelonës ku sërish shkak për këtë përplasje të paprecedentë është bërë Lamine Yamal. Këtë herë, për të ndezur sërish çështjen “Yamal”, ka mjaftuar një test i paautorizuar që sulmuesi spanjoll i është nënshtruar, ku përgjigja e të cilit këshillon që Yamal të qëndrojë pushim për 7-10 ditë. Në këtë mënyrë, Yamal humbet sërish grumbullimin me ekipin përfaqësues, nuk do të jetë në dispozicion të De la Fuentes për dy ndeshjet e radhës në kualifikueset e Botërorit, kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë.
“Lufta” mes Federatës dhe Barçës nisi në grumbullimin e parë për kualifikueset e Botërorit, ku Yamal u rikthye në klub i dëmtuar, atë kohë, Flick akuzoi drejtpërdrejtë stafin e Spanjës: “Shkoi atje gjysmë i dëmtuar, ata i dhanë qetësuar dhe luajti 73 dhe 79 minuta me Bullgarinë dhe Turqinë. Nga një ndeshje në tjetrën nuk u stërvit farë, kjo do të thotë që nuk kujdesen për lojtarët e tyre”, u shpreh në atë kohë Flick.
Këtë herë dukej momenti ideal që palët të qetësoheshin, por pa pritur Yamal iu nënshtrua një testi në orën 22:40 të mbrëmjes së shkuar, ku rezonanca vërtetoi se Yamal duhet t’i nënshtrohet një terapie për të qetësuar problemin e tij me pubalgjinë. Nuk e fshehu zhgënjimin për këtë Federata Spanjolle e Futbollit, e cila me anë të një reagimi për mediat konfirmoi mungesën e Yamal. Te Spanja ishin në pritje të Yamal të hënën, ditë kur niste dhe grumbulli, por në vend të Yamal erdhi përgjigjja e analizave.
(BalkanWeb)
