Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme një banesë në lagjen nr. 5 të qytetit të Memaliajt. Ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit Aristille Laska, i cili sipas burimeve jeton i vetëm.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur pas shpërthimit të bombolës së gatimit, duke përfshirë tendën e ballkonit dhe disa orendi shtëpiake. Në momentin e ngjarjes,
Laska nuk ndodhej në banesë. Mësohet se ai kishte vendosur ushqimin për gatim dhe është larguar për pak kohë nga shtëpia, ndërsa rrethanat e sakta mbeten në verifikim.

Komshinjtë, që vunë re tym të dendur që dilte nga ballkoni, njoftuan menjëherë shërbimin zjarrfikës, i cili mbërriti në vendngjarje brenda pak minutash dhe bëri të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur përhapjen e zjarrit në banesat përreth.

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb