Autoritetet turke kanë konfirmuar se njëzet ushtarë kanë humbur jetën në rrëzimin e një avioni ushtarak të mallrave C-130 në lindje të Gjeorgjisë, ngjarje që ndodhi ditën e djeshme.

Në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e së martës, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se të gjithë personat në bord janë shpallur “martirë”.

“Bashkëluftëtarët tanë heroikë u bënë martirë më 11 nëntor 2025,” thuhet në komunikatën e ministrisë, e cituar nga televizioni shtetëror TRT.
Ministria ka publikuar emrat dhe fotot e viktimave, por ende nuk ka dhënë detaje mbi shkaqet e mundshme të aksidentit.
Sipas autoriteteve turke, një ekip hetimor ushtarak ka mbërritur në zonën malore ku ndodhi rrëzimi në orën 6:30 të mëngjesit me orën lokale për të filluar analizën e rrënojave. Hetimet po kryhen në bashkëpunim me autoritetet gjeorgjiane.

Mediat lokale raportojnë se pjesë të avionit janë gjetur të shpërndara në një zonë të vështirë për t’u arritur, ndërsa moti i keq po e pengon punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe ministri i mbrojtjes Yaşar Güler kanë shprehur ngushëllime për familjet e ushtarëve të vrarë, duke theksuar se “kombit i është shtuar një tjetër plagë e rëndë”.

“Shpirtrat e djemve tanë të rënë do të kujtohen gjithmonë me nder dhe krenari,” tha ministri Güler në një deklaratë të shkurtër për mediat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb