Në projektbuxhetin e vitit 2026, Qeveria ka parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh që do t’u shpërndahet bashkive në shkallë vendi për menaxhimin e mbetjeve urbane, përmes një transferte të pakushtëzuar sektoriale. Kjo është hera e parë që financimi për këtë qëllim specifik formalizohet si pjesë e mekanizmave fiskalë që mbështesin pushtetin vendor, duke synuar përmirësimin e sistemit të grumbullimit, transportit dhe trajtimit të mbetjeve në të gjitha zonat e menaxhimit. Gjithçka ndodh pasi vendi ka vuajtur me menaxhimin e mbetjeve, edhe pse për to janë shpenzuar miliona euro si ato që shkuan për inceneratorët që nuk u ndërtuan asnjëherë.

Fonde të dedikuara sipas zonave të menaxhimit të mbetjeve

Sipas Aneksit 8 të projektbuxhetit 2026, ndarja e fondeve është bërë në bazë të sasisë vjetore të mbetjeve që prodhojnë njësitë vendore; dhe kostove shtesë të transportit drejt pikave fundore të grumbullimit dhe përpunimit.

Kjo ndarje mbështet implementimin e zonave të menaxhimit të mbetjeve të përcaktuara nga Ministria e Mjedisit, ku disa bashki duhet t’i transportojnë mbetjet në qendra rajonale për trajtim.

Konkretisht: Bashkitë Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin do të financohen për transportin e mbetjeve drejt zonës së menaxhimit Shkodër.

Bashkitë Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak dhe Kavajë do të kontribuojnë në zonën e menaxhimit Tiranë.

Bashkitë Librazhd, Elbasan, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Prrenjas dhe Gramsh do të drejtojnë mbetjet drejt zonës Shkodër.

Po ashtu, bashkitë e Fierit, Lushnjës, Roskovecit, Patosit, Divjakës dhe Mallakastrës do t’i dërgojnë mbetjet në zonën e menaxhimit në Shkodër.

Në këto dy raste nuk dihet nëse kemi të bëjmë me ndonjë lapsus, apo qeveria ja “groposur” zyrtarisht inceneratorët që nuk u ndërtuan kurrë, duke transferuar mbetjet e këtyre bashkive në Shkodër.

Gjithashtu bashkitë Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Libohovë dhe Dropull, do të financohen për transportin e mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër.

Bashkitë Pogradec, Korçë, Kolonjë, Maliq, Devoll dhe Pustec, financohen për transportin e mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Korçë.

Nga pagesat për inceneratorët te menaxhimi rajonal

Ky ndryshim tregon një ndryshim qasjeje të qeverisë, pas disa viteve ku buxheti i shtetit mbulonte pagesa të konsiderueshme për kontratat e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, të cilët megjithatë nuk u përfunduan dhe nuk hynë kurrë në funksion. Në mungesë të tyre, projektbuxheti 2026 parashikon që mbetjet e bashkive përkatëse të transportohen në qendra alternative rajonale.

Në të njëjtën kohë, ndarja e re sipas zonave të menaxhimit tregon riformatimin e strategjisë kombëtare për trajtimin e mbetjeve urbane, që synon shmangien e modeleve të dështuara dhe orientimin drejt zgjidhjeve funksionale rajonale.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të analizuara nga ekofin.al, për periudhën nga viti 2019-2022 buxheti i shtetit ka paguar 2.9 miliardë lekë për inceneratorin inekzistent të Fierit dhe 1.85 miliardë lekë nga viti 2018-2021 për inceneratorin inekzistent të Elbasanit. Praktikisht 4.75 miliardë lekë nga buxheti janë paguar ndër vite për dy vepra që sot nuk ekzistojnë. /ekofin.al

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb