Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me atentatin e ndodhur dje në rrethrrotullimin e Rinasit ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Sheqeri.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se targat e mjetit tip “Toyota” rezultojnë të vjedhura në Greqi vitin e shkuar. Ndërsa makina ende nuk është përcaktuar nese është e vjedhur apo jo per shkak se ende nuk është rikuperuar numri i shasisë për shkak të djegies së makinës.
Autorët të cilët kanë qenë 4 ( 3 qitës dhe 1 shofer) kanë ardhur nga zona e Niklës drejt Rinasit, zonë dhe nga janë larguar më pas.

Gilmando Dani, 47 vjeç, i ekzekutuar në Rinas
Autorët kanë përdorur të 4 armët. Sipas burimeve, një prej autorëve ka përdorur dy armë. Kallashnikovin nga makina dhe pistoletën pasi zbret nga makina dhe qëllon drejt makinës Benz.

Muçi Shaljani (Sheqeri), i plagosur
Krahu i djathtë i Shullazit, Gilmando Dani i shpëtoi 2 atentateve në 2011 dhe 2015
Viktimë e atentatit të ndodhur sot pranë Aeroportit të Rinasit është Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. I plagosuri tjetër është Muçi Shaljani (Sheqeri). Makina luksoze, ndaj të cilit u qëllua me breshëri plumbash është në pronësi të Elvis Kosovës, emër i njohur për autoritetet.
47-vjeçari Gilmando Dani, një personazh i njohur si mik i ngushtë i Emiljano Shullazit, ka një histori të gjatë të lidhur me ngjarje kriminale, që nga viti 2006. Ndaj tij rëndon një dënim me 12 vite burg për gjobëvënie, i dënuar në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi. I gjithë grupi i Shullazit u dënua me 55 vite burg në vitin 2018, ndërsa arrestimi ishte bërë i mundur në vitin 2016.
Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.
Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit.
Në nëntor të 2011 Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi arrestohet për armëmbajtje pa leje. Në makinë është gjetur vetëm një pistoletë, ndërkohë që policia arrestoi dy persona, si Danin dhe Shullazin. Pas kësaj, Dani ka marrë autorësinë e pistoletës dhe se në gjykatë, Shullazi ka marrë pafajësi.
Sipas informacioneve precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për armëmbajtje pa leje dhe “kanosje në bashkëpunim”. Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
