Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas atentatit të ndodhur një ditë më parë në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, i njohur edhe si Sheqeri.

Në një deklaratë publike, Berisha e quajti ngjarjen “një ekzekutim publik të patronuar nga shteti”, duke akuzuar autoritetet se kanë lejuar që atentati të ndodhte në një nga zonat më të mbrojtura të vendit.

Sipas kreut të opozitës, autorët e ngjarjes janë larguar të qetë nga vendi i krimit dhe kanë përshkuar rrugën Rinas–Fushë Krujë–Krujë pa asnjë ndërhyrje nga policia.

“Ekzekutimi publik i djeshëm i Gilmando Danit, eksponent kryesor i organizatës kriminale të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e rëndë e Muçi Shaljanit apo Sheqerit, në pamje të parë shofer i drejtorit të shërbimeve inteligjente të Policisë së Shtetit dhe inspektor policie, por në fakt një bos, edhe ky bashkë me vëllanë e vet i krimit të organizuar dhe drogës, është një ngjarje e cila u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit.

Vendi i ekzekutimit publik të tyre, në protokollet e sigurisë publike është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër.

Në atë zonë, përveç patrullës së policisë së rendit, është patrulla e policisë rrugore dhe po aty ngjitur është furgoni i FNSH-së, i instaluar aty që pas vjedhjes së shekullit të parave në aeroportin e Rinasit. Është edhe një njësi, e cila rri aty në mbrojtje të sallonit të VIP-ave, kur kalojnë qeveritarët. Pra, nuk ekziston asnjë zonë tjetër, asnjë territor tjetër në të cilin të kryqëzohen në mbikëqyrje kaq shumë forca policore dhe speciale. Është gjithsej 100 metër nga rajoni i policisë së Rinasit, është pak metra nga dalja e sallonit të VIP-ave.

Pra, atentatorët apo vrasësit, pasi shkrehën breshëri të shumta mbi makinën që e prisnin të sigurtë, dhe i kishin zënë pritë pikërisht aty që nuk mund të zije pritë kurrë pa lejen e shtetit, pas ekzekutimit u larguan të qetë dhe përshkruan pa asnjë lloj telashi apo andralle të gjithë rrugën Rinas-Fushë Krujë, të gjithë rrugën Fushë Krujë pothuaj Krujë. Fshati Halil është pranë Krujës, ngjitur me kalanë e Zgërdheshit. Dhe ata shkuan në Zgërdhesh dhe asnjë lloj përpjekje nuk u bë nga narkopolicia për të ndaluar vrasësit e Gilmando Danit dhe ata që plagosën rëndë Mustafa Shaljanin apo Sheqerin.

Një qytetar digjital shkruan se shpreh çudinë pse opozita flet për një shofer apo agjent të thjehstë policie pasi e vërteta është krejt ndryshe me Sheqerin. Vëllai i tij shkruan qytetari, është 100 herë më i pasur se Shullazi.

Të tërë këta sipas tij janë marrë me drogë, janë me PS dhe blejnë vota. I plagosuri ka bërë fushatën e 11 majit”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb