Shqipëria do të përballet me Andorrën të enjten, në kuadër të Kualifikueseve të Botërorit. Për këtë takim i cili është shumë i rëndësishëm për arritjen në Play Off, trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, doli në konferencë për shtyp.
Çfarë pret nga ndeshja e nesërme? – Janë dy ndeshje të ndryshme. Trajneri i Andorrës ka shumë kohë me skuadrën dhe e njeh shumë mirë ekipin. Reparti i prapavijës është shumë i mirë dhe ai nxjerr maksimumin nga ekipi i tij. Janë një ekip që pëson maksimumi dy gola, dhe këtë e kemi parë edhe te ndeshjet e tjera që kemi analizuar me kundërshtarët e tjerë. Edhe në Tiranë ishte e vështirë në fillim. Më pas shënuam dhe ishim pak më të qetë. E kemi parë edhe te ndeshjet e tjera, një barazim, 45 minutat e para në ndeshjen e fundit me Serbinë ishte 1-1. Kjo tregon që është një ekip i vështirë për t’u mundur. Janë një ekip që luftojnë për çdo top. Unë shpresoj që t’ia dalim nesër për të fituar.
E keni analizuar Andorrën dhe a besoni që Shqipëria mund të shkojë në Botëror? – Në fakt po rritemi shumë si Federatë. Ndërkohë që ne rritemi, rriten edhe të tjerët. Kjo shihet në rezultatet që kemi pasur në kualifikuese, në Europian e tashmë në kualifikueset për Kupën e Botës. Diferencat në futboll bëhen çdo herë e më të vogla. Kur luan jashtë, sigurisht që është pak më e vështirë se të luash në shtëpi. Statistikat na tregojnë që kemi rezultate më të mira kur luajmë brenda. Play-off është një hap i vështirë. Jemi në një situatë të mirë që nuk e kemi pasur më parë në histori. Shpresoj që nesër të kemi një ndeshje shumë të mirë.
Ndeshja e nesërme, si do të luajmë? – Ekipi do të jetë i njëjtë si gjithmonë, përsa i përket shpirtit të garës dhe mënyrës se si është ndërtuar, si menaxhohet dhoma e zhveshjes dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me ekipin. E njëjta gjë siç i kemi nisur eliminatoret ndaj Anglisë. Patjetër që mund të ketë ndryshime. Mund të ketë një sulmues më tepër, ndërtimi i skuadrës mund të jetë pak më ndryshe. Por kjo varet nga karakteristikat e ekipit me të cilin përballemi. Detyrimi për të fituar ka nisur që nga ndeshja me Letoninë. Kjo është ndeshja e tretë që ne jemi të detyruar të fitojmë. Ne kemi krijuar një ekip të ekuilibruar. Siç e tha edhe Gjimshiti, pësojmë pak, jemi një ekip që ruajmë qetësinë dhe kjo na jep ekuilibër që të shkojmë te goli. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por do të jetë i njëjti shpirt skuadre siç e kemi pasur në nisje të kualifikueseve.
Keni pasur pak kohë për përgatitjen e kësaj ndeshje. Sa ndikon kjo gjë? I ke injektuar mentalitetin e duhur lojtarëve për ta fituar këtë ndeshje ndaj rivalit më të lehtë në letër? – Kur kemi luajtur kundër Serbisë në tetor, kishim më shumë ditë për t’u përgatitur. Varet se si bien datat e ndeshjeve. Nuk kemi punuar shumë në fushë, më shumë kemi bërë video-analizë dhe kemi komunikuar gjatë të gjithë kohës me lojtarët. Gjatë darkës, në mbledhje, duke dhënë mesazhet e duhura. I shoh lojtarët shumë të motivuar, të përqëndruar në atë që duhet të bëjmë në ndeshje. Kemi edhe një stërvitje sot. Sa i përket përgjegjësisë së trajnerit, në fakt është e të gjithë stafit por unë e marr gjithmonë. Lojtarët e dinë që duhet të hyjnë në fushë dhe të japin maksimumin. Sa i përket pjesës taktike dhe menaxhimit të ndeshjes, ky është elementi më i rëndësishëm. Duhet të përqëndrohemi që të menaxhojmë 90 minuta shumë të vështira, ndaj një ekipi që barazoi 1-1 pjesën e parë me Serbinë dhe që u mund me rezultatin e ngushtë 1-0 nga Anglia. Është një trajner që i njeh shumë mirë lojtarët e tij. Është ndeshje e vështirë sepse dikush mund të thotë që është një kundërshtar i lehtë në letër, por është një ndeshje e vështirë për t’u luajtur.
Skema që do të luani nesër? – Nesër, deri në orarin e drekës, mund të kemi vendosur për lojtarët që do të futen në fushë. Më shumë se moduli, fokusohem te karakteristikat e ndryshme të lojtarit. Kemi punuar këto tre ditë që kemi qenë në stërvitje. Janë dy gjëra të ndryshme. Një 5-4-1 e Andorrës ndryshon shumë nga një 5-3-2 e Serbisë. Por, siç të thashë, më shumë jam i fokusuar te karakteristikat e lojtarit, ku mund të marrë topin më lehtësisht një lojtar, ku ka më shumë hapësirë që i jep më shumë kohë për të bërë lojën e kundërshtarit. Ky është elementi ku jemi fokusuar më tepër. Mund të ketë disa ndryshime.
Nuk jam i shqetësuar për modulin, por për karakteristikat e lojtarëve. Cilët lojtarë të fusim në fushë, që të krijojnë hapësira për bashkëlojtarët. E kemi studiuar si kundërshtar më shumë se 15 ditë. Ka një modul ndryshe, 5-4-1, që ndryshon nga moduli që kishte Serbia dhe Letonia. Është një ekip që nuk pëson shumë gola, lufton dhe bllokon shumë mirë linjat. Lojtarët e dinë, ne i kemi biseduar këto. Ky është elementi më i rëndësishëm, të fusim në fushë lojtarë që mund të krijojnë hapësira dhe mund të shkojnë te goli.
Je i shqetësuar që disa lojtarë nuk kanë minuta? – E kam shumë të qartë se cilët janë lojtarët që mund të futen në fushë dhe që mund të shënojnë gol. Nuk jam i shqetësuar për lojtarët që nuk kanë mundur të luajnë shumë. Të gjithë lojtarët kanë ardhur mirë fizikisht. Jemi përgatitur shumë mirë në këto dy ditë pune. Duhet të shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve. Ne e dimë që kemi disa lojtarë që shënojnë. Në gati tre vite rrugëtim, janë disa lojtarë që kanë shënuar më shumë gola edhe me Kombëtaren. E kam të qartë.
Si është pozicionimi juaj kur ka një konflikt mes klubit dhe federatës (rasti Lamine Yamal)? – Koha kalon shumë shpejt dhe kam disa vite që jam pjesë e stafeve teknike në ekipe të ndryshme, po ashtu edhe te Kombëtarja e Brazilit, tashmë si trajner i parë te Shqipëria. E shikoj si një përballje force, ku në mes janë lojtarët. I kam përjetuar këto situata edhe më parë, por vjen një moment që duhet të dakordësohesh deri diku. Ka shumë ndeshje që duhet t’i luajnë lojtarët, dhe ky është diskutimi që qarkullon shpesh në UEFA dhe FIFA, këtu mbetet lojtari në mes. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit që janë shumë ndeshje, të mërkurën, të dielën, më pas grumbullimi i Kombëtares… përsëri rikthehet i njëjti ritëm. Besoj që janë shumë ndeshje për lojtarët.
