Bruno Cara dhe Ashim Zajmi janë dy policët që janë ndaluar nga AMP pas atentatit ndaj Gilmando Danit dhe mikut të tij agjent policie, Muçi Shaljani (Sheqeri) dje në Rinas. Efektivët akuzohen se kanë falsifikuar vulat e stampave dhe formularët, në rastin e përpilimit të Vërtetimit të Besueshmërisë për Muçi Shaljanin, agjent i AMP, i cili dje mbeti i plagosur, ndërsa Dani u vra.

Sipas burimeve, Bruno Cara mban detyrën si Nënkomisar me detyrë Specialistë për Hetimin e Krimeve, ndërsa Ashim Zajmi mban atë të ndihmësi specialistit me detyrë policimin në komunitet në komisariatin nr.3 në Tiranë.

“Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, thekson AMP.

AMP po heton të dy të dyshuarit deri në një vendim final ndaj tyre.

Njoftimi i AMP

Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb