Dinamo ka lënë pas pushimet, duke u rikthyer në fushë ditën e djeshme. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Elbasanit.

Daja iu kishte dhënë lojtarëve një pushim prej 2 ditor, teksa të martën nisi stërvitja. Skuadra ishte me mungesa të shumta duke qenë se Aliji është grumbulluar nga Kombëtarja A, ndërsa Hekuran Berisha nga Kosova U21.

GJENDJA FIZIKE- Një tjetër mungesë e rëndësishme për Dinamon ishte ajo e sulmuesit në djathtë, Nani. Portugezi ka pasur një problem shëndetësor dhe nuk mund të stërvitej ndërkohë që pritet të rikthehet në fushë ditën e sotme. Me shumë gjasa, Nani do të stërvitet individualisht, por nuk raportohet për dëmtim apo problem serioz.

Me grupin ka provuar të stërvitet edhe qendërsulmuesi, Guindo. Në takimin e fundit ndaj Vllaznisë, sulmuesi shtatlartë luajti i dëmtuar por duket se gjërat kanë shkuar mirë për të dhe pritet të jetë i gatshëm për trajnerin Daja.

PËRGATITJET- Ekipi po stërvitet në Arbanë për ndeshjen ndaj Elbasanit, ndërkohë që në fundjavë pritet të ketë edhe një ndeshje miqësore me skuadra të Kategorisë së Parë. Ende nuk është bërë i ditur emri i rivalit, duke marrë parasysh edhe faktin se skuadrat e së parës do të luajnë në Kupë mesjavën e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb