Fati i Lukoil-it në Maqedoninë e Veriut mbetet i pasigurt, pasi më 21 nëntor hyjnë në fuqi sanksionet amerikane kundër grupit rus të energjisë, ndërsa dështoi përpjekja për blerjen e kompanisë nga grupi Gunvor.

Lukoil zotëron 40 stacione karburanti në Maqedoninë e Veriut dhe punëson 550 të punësuar, duke mbajtur një pjesë 15% në tregun e pakicës së karburanteve në vend.
Kompania furnizohet kryesisht me produkte nga rafineria e Lukoil-it në Burgas të Bullgarisë, të cilën qeveria bullgare po përpiqet ta marrë nën kontrollin e saj.

Sofja shpreh frikë se sanksionet amerikane ndaj grupit rus mund të çojnë në ndërprerje të plotë dhe të përhershme të veprimtarisë së rafinerisë, më të madhës në Ballkan.
Gjatë ditëve të fundit, stacionet e karburantit të Lukoil-it në Maqedoninë e Veriut nuk pranojnë pagesa me karta Visa dhe Diners, çka rrit edhe më tej shqetësimin për vazhdueshmërinë e funksionimit të tyre.

Kreu i Autoritetit Rregullativ të Energjisë në Maqedoninë e Veriut, Marko Bislimoski, deklaroi se ka zhvilluar një seri takimesh me menaxhmentin e Lukoil-it në vend, me qëllim sigurimin e funksionimit normal të kompanisë dhe ruajtjen e vendeve të punës. Bislimoski duket optimist se mund të gjendet një zgjidhje.

“Kam pasur një takim me drejtorin e Lukoil-it lokal, i cili më siguroi se kompania po merr të gjitha masat e nevojshme për të mos lënë të punësuarit pa punë.

Besoj se Lukoil mund të vazhdojë të funksionojë në vend.

Deri tani, furnizimi i saj kryesor vjen nga Bullgaria, por ajo mund të furnizohet edhe nga vende të tjera.
Duhet t’i japim mundësinë të vazhdojë aktivitetin, pasi mund të importojë karburante nga rafineri jo ruse”, tha kreu i Autoritetit Rregullativ të Energjisë në Maqedoninë e Veriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb