Aktivistja transgjinore Luana Myrto ka ndarë një rrëfim prekës në emisionin “Oponencë” në News24, duke folur për përvojat e saj personale dhe pasojat emocionale që i kanë lënë vite të tëra të izolimit dhe shkëputjes nga familja.

Myrto pranoi se rruga që ka ndjekur ka qenë e vështirë dhe se vendimet e marra në të kaluarën mund të kenë qenë të nxituara, të ndikuara nga rrethana dhe njerëz të gabuar.

“Unë kam pasur një traumë. Mund të kem gabuar në gjithë kalvarin tim. Kjo që kam bërë mund të ketë qenë një gabim, sepse e ka zanafillën gabim, më ndau nga familja,” u shpreh ajo.

Duke folur me trishtim, aktivistja tha se janë kaluar 12 vite që nuk ka parë dhe përqafuar nënën, tezen dhe dajën e saj, duke theksuar se ndarja nga familja ka qenë plagë që ende nuk është shëruar.

“Kam 12 vite që nuk ndjej aromën e nënës sime, të tezes dhe dajës tim. Më vdiq babai, dhe tani jetoj me frikën se do më vdesë nëna pa e parë më. Rri pas katër mureve dhe mbaj traumën e kësaj që më ka ndodhur. Sigurisht që do flas,” tha Myrto.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb