Banorët e ishullit turistik Jeju janë alarmuar pasi pako misterioze që ngjajnë me qese çaji kinez kanë dalë në breg që nga muaji shtator — por brenda tyre, autoritetet kanë gjetur ketaminë, një drogë e rrezikshme dhe e paligjshme në Korenë e Jugut.

Sipas Rojës Bregdetare të Jeju-së, deri më tani janë sekuestruar rreth 28 kilogramë ketaminë, e mbështjellë me letër alumini dhe e etiketuar me karakterin kinez për “çaj”, në të paktën tetë raste të ndara.

Ketamina përdoret në mjekësi si anestetik, por përdorimi i saj për argëtim është i ndaluar. Abuzimi me këtë substancë mund të shkaktojë dëmtime të rënda në tru, zemër dhe mushkëri, kanë paralajmëruar autoritetet.

Alarmi në bregdet

Më 15 tetor, një pastrues plazhi gjeti 20 kg të këtyre paketave në bregun e Seogwipo-s, në jug të ishullit — sasia më e madhe e zbuluar deri tani.
Këtë javë, mbi 800 persona, përfshirë ushtarë, policë dhe vullnetarë civilë, morën pjesë në kërkime të gjera përgjatë plazheve të qytetit Jeju, njofton Korea JoongAng Daily.

Banorët janë të shqetësuar për rrezikun që mund t’u kanoset familjeve dhe fëmijëve.

“Shpesh i sjell fëmijët e mi në këtë plazh. Është tmerruese të mendosh se ata mund të prekin diçka të tillë,”
tha një banore lokale, Kim, për median koreane.

Roja Bregdetare ka ngritur një njësi të posaçme hetimore për të gjurmuar origjinën e mundshme të drogës dhe rrugët e saj detare. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që paketat të jenë sjellë nga rrymat oqeanike, pasi zbulime të ngjashme janë bërë edhe në Pohang (Kore e Jugut) dhe në ishullin Tsushima të Japonisë.

Sipas profesorit Yoon Heung-hee nga Universiteti Hansung, prapa këtij rasti mund të fshihet një sindikatë ndërkombëtare droge.

“Disa grupe përdorin metodën e ‘gungës detare’, duke hedhur pako me drogë në oqean me gjurmues elektronikë për t’i rikuperuar më vonë,”
shpjegon Yoon për The Hankyoreh.

Ai shton se grupet kriminale mund të kenë shfrytëzuar kontrollet më të dobëta në portet dhe aeroportet e Jeju-së për të kontrabanduar substancat e ndaluara në vend.

Autoritetet kanë paralajmëruar publikun që të mos prekin asnjë objekt të dyshimtë të gjetur në plazh dhe të njoftojnë menjëherë policinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb