Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendosi sot sanksione ndaj biznesmenit Timur Mindich, dikur miku i tij i ngushtë, i cili akuzohet se orkestroi një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në vitet e fundit në vend.
Sanksionet, që godasin 46-vjeçarin Mindich dhe një biznesmen tjetër të përfshirë, parashikojnë kryesisht ngrirjen e pasurive të tyre, sipas dekretit të publikuar nga presidenca ukrainase.
Mindich dyshohet se krijoi një rrjet të gjerë korrupsioni që mundësoi përvetësimin e rreth 100 milionë dollarëve të destinuara për sektorin energjetik të vendit.
Skandali shpërtheu në një moment kur rrjeti elektrik ukrainas është dëmtuar rëndë nga sulmet masive ruse, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha energjie pikërisht para dimrit.
Mindich ishte bashkëpronar i studios së produksionit “Kvartal 95”, të themeluar nga vetë Zelensky para se të hynte në politikë, kur ai ishte ende aktor komik i njohur.
Biznesmeni u largua nga Ukraina pak para shpërthimit të skandalit dhe dyshohet gjithashtu se ushtronte ndikim mbi vendimet e zyrtarëve të lartë, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov (tani sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare).
Të mërkurën, ministrat e Energjisë dhe Drejtësisë, Svitlana Grinçuk dhe Herman Galushchenko, njoftuan dorëheqjen pas kërkesës së Zelenskyt për shkak të këtij skandali të rëndë.
Galushchenko akuzohet gjithashtu se përfitonte personalisht në këmbim të kontrollit të flukseve financiare të sektorit energjetik që i kaloi Mindichit. Grinçuk nuk është aktualisht e akuzuar drejtpërdrejt, por mediat ukrainase e konsiderojnë si person i besuar i Galushchenkos. Ditën e premte pritet të mbahet votimi në parlament për shkarkimin zyrtar të dy ministrave.
