Ish-kryetarja e Gjykatës së PD, njëherazi anëtare e Këshillit Kombëtar, Adriana Kalaja theksoi se ka 3 vite e gjysmë që bën luftë të ashpër brenda PD, sipas saj, për kauza parimore.
Ajo tha se ka ngritur shqetësime si askush tjetër brenda opozitës. Adriana Kalaja shtoi gjithashtu se nuk do t’i bashkohet protestës së PD të hënën para Kryeministrisë.
“Nga informacionet që kam mendoj ka hipokrizi, sepse edhe ligji nuk ia ndalon një deputeti të vërë disa firma, moralisht mendoj unë një njeri ose duhet të mbështesë Adriana Kalanë ose të thotë nuk të mbështes ty por Endri Sabanin. Për mua është amorale që deputetët e PD që deri dje akuzonin si sorosistë, që thonin Rama i mori 83 mandate edhe prej Endri Shabanin, tani nuk vlerësojnë këtë që ka punuar, e pëlqen apo jo zonjën Kalaja.
Madje unë kam 3 vite e gjysmë që bëj luftë të ashpër brenda PD për këto probleme që unë ngre. Është më e ndershme që Berisha të thotë jo ti e ke gabim. Kam bërë luftë për parime. Kam ngritur shqetësime si askush më parë”, tha ajo.
Kalaja shton se do ta bojkotojë protestën e opozitës të thirrur ditën e hënë pasi sipas saj është e pahijshme që ditën e nesërme PD të ulet në tryezë me PS për reformën zgjedhore apo atë territoriale.
“Nuk do të shkoj ne proteste. Ndahem me PD sepse nuk mund të shkosh në protestë në orën 6 dhe të nesërmen të ulesh me mazhorancën për Reformën Zgjedhore apo Territoriale”, shton ajo.
