Shqipëria siguroi një biletë për në Play Off të Botërorit, pas suksesit 0-1 ndaj Andorras.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka uruar kuqezinjtë.
Postimi:
Urime nga zemra Kombëtares së Shqipërisë për kalimin në fazën ‘play-off’ të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Kjo është një arritje që na mbush me krenari të gjithëve. Kuqezinjtë edhe një herë treguan vlerat, karakterin dhe forcën e tyre, duke arritur në fazën ku 16 ekipe do të luftojnë për katër biletat shtesë të Botërorit që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ndërkohë, sot Kombëtarja e Kosovës udhëton drejt Lubjanës, aty ku shpresojmë ta vulosim edhe ne suksesin historik.
Optimizmi, uniteti, mbështetja dhe morali janë më të mëdha se kurrë më parë! Energjia e tifogrupit ‘Dardanët’ dhe e mijëra bashkatdhetarëve në Slloveni është shtytësi ynë drejt këtij suksesi.
Nëntori ka qenë gjithmonë muaj i ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë. Prandaj, besojmë fuqishëm se ky nëntor do ta shënojë edhe një tjetër moment të paharrueshëm për shqiptarët, kalimin tonë në ‘play-off’, e pse jo edhe hapjen e rrugës drejt ëndrrës më të madhe, kualifikimit direkt në Botërorin 2026.
Ëndrra jonë e përbashkët është të shohim të dy krenat e shqiponjës si pjesë të Botërorit 2026! Kjo nuk do të ishte thjesht një arritje e dy shteteve të një kombi, por edhe një mrekulli historike dhe realizim i ëndrrës dhe sakrificës së popullit tonë ndër dekada.
Urime Shqipëri, të priftë e mbara Kosovë!
