Në Ballkan, sovraniteti territorial po kthehet në një nocion abstrakt me pasoja tepër të rënda për ata popuj që do ta fillojnë të parët ta konsiderojnë të tillë. Shprehja “Ballkanizim” tashmë përdoret gjerësisht në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare dhe asaj të sigurisë si një sinonim i ndarjeve e copëtimit të shteteve dhe konflikteve të përhershme. Në raport me sipërfaqen, nuk ka zonë me intensitet më të lartë konfliktesh territoriale sesa gadishulli Ballkanik.
Sovraniteti është dhe mbetet themel i sigurisë shtetërore, i pavarësisë politike dhe i kohezionit kombëtar. Megjithatë, në Shqipëri, sovraniteti po trajtohet gjithnjë e më shumë si një formalitet – diçka e garantuar automatikisht tashmë edhe nga anëtarësimi në NATO, nga protokollet diplomatike dhe nga një varg supozimesh optimiste për stabilitetin rajonal, për të cilin po sakrifikohet demokracia, të drejtat e njeriut dhe funksionimi i institucioneve shtetërore.
Disa zhvillime të cilat po ndodhin paralelisht – kolapsi demografik në përgjithësi dhe ai në jug në veçanti, propozimet territoriale-administrative me pasoja strategjike, ndikimet e huaja në proceset politike dhe trajtimi i diskutueshëm i negociatave për detin – tregojnë një dobësim strukturor të qëndrueshmërisë territoriale të Shqipërisë. Të marra të ndara nga njëra tjetra këto çështje ndoshta nuk do të përbënin arsye për t’u alarmuar, as për të shkruajtur këtë artikull. Por së bashku, në harmoni me njëra tjetrën, si gurët e vegjël të një mozaiku të madh, ato krijojnë një dobësi që asnjë shtet apo drejtues përgjegjës nuk mund ta shpërfillë.
Le t’i trajtojmë këto rreziqe faktike.
Reforma territoriale pa përfillur sigurinë kombëtare
Debati mbi reformën territoriale në Shqipëri është trajtuar kryesisht si një çështje e rendimentit administrativ dhe si një ndikues i drejtëpërdrejtë tek rezultatet e proceseve zgjedhore. Ta shikosh territorin e kombit dhe shtetit tënd vetëm përmes optikës administrative dhe asaj zgjedhore, është një lojë e rrezikshme të cilën kombi ynë nuk mund ta luajë.
Çdo shtet serioz e kupton që kufijtë administrativë janë instrumente strategjike aftagjata të cilat mund të sjellin pasoja fatale për një shtet. Ato formësojnë demografinë, modelet zgjedhore, përqendrimet e minoriteteve dhe levat politike afatgjata të cilat mund të përdoren nga të gjitha palët konkuruese në gjeopolitikë.
Në kuadër të reformës territoriale, së fundmi është propozuar bashkimi i zonave me përqendrim të lartë minoritar, të cilat ndodhen në brendësi të territorit, me zona pranë kufirit grek. Në këtë mënyrë krijohet një njësi e re territoriale me vazhdimësi të pandërprerë të vendbanimeve minoritare, të cilat kanë shprehur shprehur koherencë të njësuar politike, sociale dhe gjuhësore. Me këtë riformatim dhe dinamikë, ky territor më vonë mund të përkthehet në një platformë më të fortë zyrtare për pretendime kolektive.
Sipas manualeve shoviniste dhe fakteve historike, kemi plot zona të tjera në Ballkan e rajone të Europës ku konsolidimet e tilla administrative më pas evoluan në kërkesa autonomie dhe ku më pas është nevojitur edhe ndëryrja e organizatave ndërkombëtare dhe forcave shumëkombëshe. Shqipëria nuk ka arsye që të përbëjë përjashtim për këtë rast. Hartat administrative janë mjete gjeopolitike – dhe kur vizatohen gabim, ato mund të kthehen në armë. Një reformë territoriale që kryhet pa vlerësim të sigurisë kombëtare krijon hapësirë për gabime strategjike.
Në parlament, disa deputetë të minoriteteve tregojnë interes të shtuar për çështje territoriale – administrative, ndërkohë ky interes mungon ndaj komisioneve të tjera, pavarësisht rëndësisë së tyre për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Kjo është e drejta e tyre kushtetuese në një vend demokratik – por lind pyetja: sa të gatshëm do të ishin ata deputetë të vendosnin në plan të parë sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë duke anashkaluar çështjet tek të cilat kanë konflikt të drejtë-përdrejtë në lidhje me sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë?
Çështja detare: një zgjedhje juridiksioni që dobëson pozicionin shqiptar
Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord ta çojnë çështjen e delimitimit detar në një gjykatë ndërkombëtare për të shqyrtuar mundësinë e një marrëveshjeje paraprake. Në parim, ky është një hap civilizues. Por, Shqipëria ka zgjedhur Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë – dhe jo Tribunalin Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit në Hamburg, organi i specializuar i UNCLOS-it me standarde më të rrepta teknike.
Në Hagë, parimet e “barazisë së palëve” mund të zbehin argumentet teknike të Shqipërisë, duke i dhënë Greqisë më shumë hapësirë manovrimi.
Ky nuk është “kurth” në kuptimin figurativ të fjalës, por është disavantazh strategjik. Shtetet me kapacitete njerëzore teknike dhe juridike shumë më të mëdha dhe me diplomaci më agresive, shpesh dalin më të favorizuara në forume ku peshohen edhe konsideratat politike dhe gjeostrategjike. Kapacitet e Shqipërisë lënë shumë për të dëshiruar në këtë lëmi dhe kjo zgjedhje për të shkuar në Hagë për të arritur një marrëveshje është alternativa më e pafavorshme për Shqipërinë, e cila me gjendjen aktuale ka çfarë të ruajë nga ajo që ka, duke mos pasur frikë të humbasë diçka që nuk e ka.
Erozioni demografik: rënia e heshtur e sovranitetit
Në parim, një territor pa popullsi është më pak i mbrojtshëm dhe territori shqiptar pa popullsi shqiptare bëhet më lehtësisht i negociueshëm. Jugu i Shqipërisë po përjeton një nga krizat demografike më të rënda në rajon: fshatra që zbrazen e të rinj që largohen, duke lënë pas vetes vetëm të moshuar e kafshë shtëpiake. Nëse rënia demografike vazhdon, jugu bëhet i cënueshëm jo nga forca, por nga mungesa e njerezve dhe në këtë mënyrë sovraniteti cënohet shumë më herët sesa të lëvizen kufijtë. Sa më shumë të piqen kushtet e lartëpërmendura, aq më e lehtë dhe e mundur bëhet lëvizja e kufijve.
Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e shqiptarëve të cilët jetojnë në Greqi kanë marrë shtetësinë greke dhe gjatë këtyre 30 viteve kanë përjetuar një proces shtetëror asimilimi sistemik. Ata janë qytetarë grekë dhe pjesëmarrës në politikën greke – dhe kur është nevoja, mobilizohen për të ndikuar në zgjedhjet shqiptare. Kjo nuk është e paligjshme por është strategjikisht e rëndësishme.
Rikonceptimi i bazave ushtarake në zona turistike
Turizmi është një mekanizëm i rëndësishëm i fuqizimit të ekonomisë shqiptare e cila ka burime të kufizuara. Ky sektor duhet të zhvillohet sa më shumë që të jetë e mundur në të gjithë vijën e tij bregdetare, ku rreth 7/8 e saj mbeten ende të pashfrytëzuara. Pavarësisht kësaj hapësire ende të pashfrytëzuar, bie në sy fakti që ish-instalimet ushtarake në jug po hiqen nga inventari i mbrojtjes me vendime qeverie. Ato po rikualifikohen si hapësira dhe objekte me destinacion turistik. Ky veprim ka dy pasoja negative në lidhje me sigurinë kombëtare:
- Demilitarizimi i këtyre zonave nënkupton, reduktim të thellësisë operacionale, ngadalësim të reagimit ushtarak, ulje të pranisë shtetërore dhe rritje të varësisë tek aktorë ekonomikë privatë ose të huaj. Nëse nesër ka tensione politike, shteti do të përballet me pengesa strukturore për të ri-militarizuar që është normalizuar si aset civil ekonomik. Asnjë shtet serioz për sigurinë kombëtare nuk heq dorë nga asetet strategjike pa analizë afatgjatë. Shqipëria nuk duhet të jetë përjashtim; dhe
- Shkëputja e një territori të caktuar nga një shtet për t’iu bashkëngjitur një shteti tjetër (qoftë edhe me referendurm), është më e lehtë nëse në atë territor nuk gjendjen ojekte të rëndësisë së veçante ose instalime ushtarake.
Heqja e nenit për tradhti të lartë ndaj atdheut
Ndryshe nga kodet penale të 32 shteteve europiane, Kodi Penal i Shqipërisë nuk ka një dispozitë të qartë për tradhtinë e lartë ose tradhëtinë ndaj atdheut. Nenet 209-218 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë parashikojnë dorezimin e ushtrisë, dorëzimin e territorit, provokimin e luftës, marrëveshje me shtete të huaja për ndërhyrje të armatosur, etj. Nga një analizë e thjeshtë e këtij grupi nenesh, shikon që neni 210 i cili parashikon “Marrëveshjen për Dorëzim Territori”, ka edhe dënimin më të vogël me burgim nga 5 deri në 10 vjet.
Për të qenë më të saktë:
“Neni 210
Marrëveshja për dorëzim territori
Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 gjer në 10 vjet.”
Jemi në një situatë ku, sipas ligjeve në fuqi, është e mundur që një tradhëtar i kombit i cili dorëzon territore, mund të dënohet më pak sesa dikush i cili dorëzon një qese me hashash, Neni 283a i Kodit Penal, “Trafikim i Narkotikëve” nga 7 deri në 15 vjet burgim.
“Nëse nuk siguron një karrige në tryezë, shumë shpejtë do ta gjesh veten në meny”
Si përfundim, mund të themi se Shqipëria gjendet përballë një krize ku rrezikohet sovraniteti territorial, i cili nuk shembet brenda një dite apo me një akt të vetëm. Ai sabotohet me faza përmes: rënies demografike; shkatërrimit të traditave e zakoneve; reformës sabotuese territoriale vetëm për interesa të ngushta partiake; heqjes të pengesave civile dhe ushtarake për shkeputje të mëvonshme të territorit; mungesës së një strategjie detare; lejimit të ndikimit të huaj; dhe dënimeve të buta penale për ata që synojnë dëmtimin e këtij sovraniteti.
Kufinjtë e vendit tonë nuk po cënohen as me tanke e as me raketa, por me vendime të brendshme të cilat, të marra së bashku, në terma afatmesëm, e bëjnë sovranitetin territorial më të cenueshëm. Nëse elita politike nuk e trajton integritetin territorial, arkitekturën administrative, strategjinë detare, politikat demografike dhe kornizën penale si një paketë të vetme të interesit jetik kombëtar – dhe nuk ndërton rreth tyre një konsensus minimal shtetformues përtej cikleve zgjedhore – Shqipëria rrezikon të shndërrohet nga subjekt në objekt të gjeopolitikës rajonale.
