Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Andi Goxhaj, në një komunikim të drejtpërdrejtë në studion e News24, dha detaje mbi diskutimet që pritet të zhvillohen nesër në Këshillin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) lidhur me planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Gaza.

Goxhaj theksoi se dy elemente të këtij plani janë veçanërisht të rëndësishme dhe të debatueshme: formimi i një qeverie tranzitore për dy vitet e ardhshme dhe vendosja e një plani paqeruajtës pas kësaj periudhe. “Këto janë dy pika mjaft të kundërshtuara,” tha eksperti, duke shtuar se disa palë kundërshtojnë përfshirjen e aktorëve të jashtëm në qeverisje, ndërsa të tjerë argumentojnë se qeveria tranzitore duhet të përfshijë si palestinezë ashtu edhe ndërkombëtarë.

Sipas Goxhajt, aspekti më delikat i planit lidhet me trupat paqeruajtëse: “Nëse ka një plan paqeruajtës, duhet të dihet se kush do e ofrojë këtë forcë,” shpjegoi ai. Diskutimet pritet të përfshijnë gjithashtu statusin e Palestinës si shtet të pavarur dhe strukturën e trupave paqeruajtëse.

Goxhaj theksoi se Kina, Rusia, Franca dhe Britania kanë shprehur shqetësime lidhur me këtë plan, ndërsa Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të sigurojnë progres gjatë dy viteve të ardhshme, duke sugjeruar që diskutimi mbi aspektet më të ndjeshme të planit të mbahet pas këtij afati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb