Nga Alma Mile
Memorie.al / Koha asnjëherë nuk mjafton për t’i thënë të gjitha. Aq më tepër një libër. Sa herë që t’i kthehesh pas, do ketë mbetur diçka e pathënë. “Kohë e pamjaftueshme”, kështu e ka quajtur Helena Kadare librin e saj me kujtime. Një libër prej 730 faqesh, ku shkrimtarja dhe bashkëshortja e Ismail Kadaresë, tregon kujtimet e saj, që kur ishte çupë në Elbasan e, mësonte përmendësh vjershat e një shkrimtari të ri, i cili studionte në Moskë e, që fati e deshi të bëhej bashkëshorti i saj. Jeta e Helena Gushit, më vonë Kadare, nuk qëlloi si e gjithë të tjerëve. Fati i kishte rezervuar një tjetër jetë, të cilën ajo e kish ëndërruar sa herë. Kur ishte gjimnaziste e mori të parën letër nga Is, siç i thotë ajo, por që nuk e kishte menduar kurrë, që do të ishte e tillë, e mbushur me aq shumë emocione.
Ishte bashkëshortja e njeriut që do ta nxirrte Shqipërinë nga izolimi, përmes veprave të tij, edhe atëherë kur diktatura ishte në kulmin e saj. Ndjesi personale në krah të një njeriu jo edhe aq të thjeshtë, që nga puthja e parë, te xhelozitë, zënkat, e deri te netët pa gjumë, për një roman që pritej të dilte.
“Duke qenë edhe ajo vetë shkrimtare, bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Helena, zbulon fatin e një çifti të pazakontë. Në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje, që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen e një jete të përbashkët, shpaloset aktualiteti i një gjysmëshekulli që ka parë apogjeun, dhe më pas, agoninë dhe fundin e regjimeve komuniste në Europën Lindore.
Në rrethin e miqësive, takimeve, të fshehtave të përbashkëta, ky çift gjen energji dhe kurajë që të mposhtë ankthin që diktatura ushtroi mbi banorët e vendit më të mbyllur dhe më misterioz të Europës”, shënon shtëpia botuese franceze “Fayard”.
Kadare është diskutuar gjithnjë si shkrimtari që kishte një marrëdhënie shumë delikate me diktaturën. Në kujtimet e saj, Helena tregon për mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve, plenumet, ankesat, kritikat, ndalimet e librave…! Të gjithë atë periudhë ankthi, kur të gjithë mendonin se u erdhi fundi edhe atyre, kur njerëz pyeteshin në hetuesi për lidhjet e mundshme “agjenturore” të shkrimtarit, vizitat e tij në Francë
pohimet që u duheshin, ata u përpoqën të më futnin, më së pari, në një gjendje vetëfajësimi total, gjë që ia arritën.
Pastaj, si engjëj-shpëtimtarë që do të më pakësonin dhimbjen e një të tillë fajësie, duhej të më bënin që të pranoja se shkaktar i fajeve të mia, në të vërtetë, ishte tjetërkush, dhe ky tjetërkushi mund të ndryshonte sipas rastit, varësisht se për kë u duhej atyre të deponoja.
Kështu, në fillim e patën me ty, e mandej, kur hetimet e kaluan kapitullin agjenturor, me prindërit e mi. Pra, më kërkohej të pohoja se miqësia me ty; “ishte faktori kryesor që më kishte ndihmuar për të hyrë në rrugën armiqësore” dhe rrjedhimisht kjo duhej konkretizuar me deponime në lidhje me pyetjet që përmenda më sipër…”!
Nga letra dilte se e vetmja gjë që donin të dinin për Is, ishte se çmendonte ai për Enver Hoxhën. Kjo vërtetonte se pyetjet bëheshin sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të vetë Hoxhës. Të tjerat ata i dinin…!
I shpëtuar nga Enver Hoxha
…Tek oxhaku i studios, ashtu si më parë, pa u kuptuar nëse ishte i mundur apo fitues, Is po shkruante “Qorr-fermanin”, novelën e gjatë, ku përshkruhej gati-gati saktësisht tmerri që porsa kishte kaluar. Ndryshimi i vetëm ishte se ngjarja qe vendosur në Perandorinë Osmane…!
Një ditë më tha diçka që më habiti. Tha se atë që ishte duke shkruar, nuk kishte ndër mend aspak ta botonte. Ishte hera e parë që dëgjoja një pohim të kësaj natyre. Siç ma shpjegoi, raporti i tij si shkrimtar, me atë ç’ka po shkruante tani, ishte ndryshe, fare ndryshe.
Një ditë tjetër më tha, se ishte bërë edhe një herë e qartë ajo që ai e dinte prej kohësh: klani kundër tij ishte tepër i fortë, ngaqë kryesohej prej gruas së Enver Hoxhës. Askush tjetër nuk do të ngulmonte me aq zell të palodhur, për diçka që diktatori nuk e pëlqente. Por kjo gjë s’ishte kuptuar vetëm prej tij. Kishte plot njerëz të tjerë të afërm që na e thoshin këtë gjë.
Ishte e qartë se edhe këtë herë ai ishte shpëtuar prej diktatorit. Sepse, siç dihej tashmë, dhe siç e ka thënë Is më pas, prej Enver Hoxhës nuk mund të të shpëtonte veçse Enver Hoxha./ Memorie.al
