Kryeministri Edi Rama deklaroi se hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, e cila një vit më parë dukej si një ëndërr e largët, sot është kthyer në realitet dhe në një plan konkret pune. Në konferencën e përbashkët në Bruksel me ministren e Jashtme të Danimarkës dhe komisioneren e BE-së, Marta Kos, kryeministri theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit dhe se vendi është gati të japë rezultate të prekshme.

Rama u shpreh: “Kush do ta mendonte që do të ishim sot këtu, duke çelur të gjithë grupkapitujt? Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur. Ishim mësuar me sprapsjet, por ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm dhe më të pjekur. Ajo që ishte thjesht një ëndërr pak më shumë se një vit më parë, sot është një plan pune, një realitet.”.

Kryeministri falënderoi posaçërisht ministren daneze dhe komisioneren Kos për mbështetjen dhe angazhimin e tyre:

“Dua të falënderoj me gjithë zemër Marinë për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra kur bëhet fjalë për zgjerimin, dhe Martën, që është kampione e anëtarësimit të Shqipërisë.”, pohoi ai.

Ai shtoi se mbështetja që po merr procesi i zgjerimit e ka frymëzuar qeverinë për të vazhduar punën me të njëjtin ritëm: “Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ecur përpara dhe për të dhënë rezultate. Shqipëria del sot me krenari nga kjo fazë e parë dhe me një ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie.”.

Në përfundim, Rama theksoi se anëtarësimi në BE mbetet rruga më e mirë për vendin: “Vështirë të gjesh një shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është zgjidhja më e mirë. Dhe dua të theksoj: qoftë me mënyrën e fortë apo të butë, Brukseli të mëson një gjë — asgjë nuk merret e mirëqenë.”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb