VALENTINA MADANI/ Në një kohë kur ekonomia shqiptare përballet me sfida të shumta nga rritja e kostove të jetesës, te presioni mbi financat publike, projektbuxheti 2026 ka hapur një debat të gjerë politik. Shpenzimet publike, rreziqet e PPP-ve, borxhi, menaxhimi i koncesioneve, si dhe balancat e brendshme të qeverisjes janë kthyer në çështjet më të nxehta të agjendës publike.

Prof. Arben Malajn, ish-ministër i Financave, ekspert i njohur i ekonomisë dhe një zë kritik për qeverisjen ekonomike, analizon për gazetën “Panorama” sfidat e buxhetit, vlerësimet ndërkombëtare për Bankën e Shqipërisë, dilemat e llogaridhënies në qeveri, çështjen “Balluku” e “Veliaj” dhe rolin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit.

Ish-ministri socialist flet për qëndrimin në detyrë të ministres Belinda Balluku, ndonëse e pandehur për aferën e tunelit të Llogarasë, për standardet e qeverisjes, kulturën e dorëheqjes dhe transparencën e vendimmarrjes. Ndërkohë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Erion Veliajt në detyrë, mes akuzave dhe hetimeve të hapura, ka hapur një tjetër front debati, duke prekur drejtpërdrejt besimin publik tek institucionet, pavarësinë e drejtësisë dhe kufijtë mes vendimeve ligjore dhe leximit politik të tyre. Por ku fillon e drejta institucionale dhe ku mbaron interpretimi politik? Në këtë realitet kompleks, ku ekonomia, drejtësia dhe politika përplasen çdo ditë, Arben Malaj shpreh pikëpamjet e tij, ndërsa tregon gishtin tek pjesa më e rrezikshme e korrupsionit.

Z. Malaj, si e lexoni projektbuxhetin 2026, një buxhet zhvillimi, politik apo i mbijetesës?

Sfidat e buxhetit 2026 duhet të konkretizohen në rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më të drejtë; në zbutjen e varfërisë për shtresat më kritike të shoqërisë; në ruajtjen dhe përmirësimin e stabilitetit makroekonomik dhe në një mbështetje më të fortë të reformave sektoriale, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe kohezionit social. Sfida e stabilitetit të financave publike kërkon një fokusim më të madh te rritja e efektivitetit të shpenzimeve dhe investimeve publike, në mbikëqyrjen thellësisht profesionale të koncesioneve të pasurive natyrore dhe të PPP-ve për investimet në infrastrukturë, por edhe në sektorë të tjerë prioritarë. Rritja e mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes, si një detyrim i përbashkët i vendeve anëtare të NATO-s, duhet të arrihet nga rritja e të ardhurave buxhetore, reduktimi i përjashtimeve tatimore dhe reduktimi i çdo shpenzimi dhe investimi publik joproduktiv në buxhetin 2026, por edhe brenda ministrisë. Reduktimi i përjashtimeve tatimore që krijojnë humbje të konsiderueshme në buxhetin e shtetit duhet të fillojë me një reduktim gradual, me një parashikim afatmesëm dhe afatgjatë dhe ndërprerjen e përjashtimeve për sektorë që nuk ndihmojnë ndryshimin strukturor të ekonomisë sonë, përfshirë edhe përjashtimet tatimore që duhet të jenë të përkohshme dhe të limituara në kohë dhe në nivel.

Si e vlerësoni mbështetjen e liderëve të financave botërore për Bankën e Shqipërisë dhe ekonominë shqiptare?

Vlerësimi për kredibilitetin institucional, për pavarësinë e politikave monetare dhe për zhvillimin e tregut bankar nga zj. Zj.Christine Lagarde, Presidente e Bankës Qendrore Evropiane dhe nga shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber në përvjetorin e 100 të Bankës së Shqipërisë ishin inspiruese për një përshpejtim të integrimit monetar të vendit tonë, që në mënyrë graduale do të jetë anëtar i Bankës Qendrore Europiane Po kështu, vlerësimet për sfidat e rritjes ekonomike, të stabilitetit të financave publike dhe të strategjive të ristrukturimit të ekonomisë drejt sektorëve me produktivitet më të lartë, konfirmojnë disa arritje dhe qartësojnë sfidat jo të lehta afatmesme dhe afatgjata.

Cili është ndryshimi më urgjent që duhet të bëjë qeveria në arkitekturën e projektbuxhetit?

Një ekuilibër më i drejtë midis prioriteteve dhe mbështetjes më të mirë të shtresave që preken ndjeshëm, sidomos nga rritja e çmimeve të shportës së ushqimeve dhe kostove të kujdesit shëndetësor, si edhe rritjen e kostove të strehimit, e prekur ndjeshëm nga rritja e çmimeve dhe e qirave të banesave. Pra, politika dhe mbështetjen buxhetore prirotare për të ndaluar dhe ulur polarizimin e shoqërisë.

Ju keni denoncuar publikisht disa herë mënyrën si është menaxhuar sektori i infrastrukturës. Cilat janë, sipas jush, abuzimet më të rënda që lidhen me periudhën e drejtimit nga Belinda Balluku?

U përmbahem analizave dhe shqetësimeve profesionale lidhur me risqet e larta të PPP-ve si një sfidë jo e lehtë e qeverisë. Fatmirësisht, shqetësimet edhe të disa kolegëve për risqet potenciale të PPP-ve dhe koncesioneve janë të konfirmuara, profesionale edhe nga misionet e FMN-së, BB-së dhe BE-së. Lidhur me pyetjen tuaj konkrete, në të gjitha angazhimet e mia politike, profesionale dhe publike nuk jam ndalur tek emrat, por te risqet potenciale. Kjo edhe sepse kërkohen reforma të thella të mirëqeverisjes për të reduktuar rrënjët e korrupsionit apo edhe kapjes së shtetit. Shqetësimi i përhershëm është se vendi nuk i ka akoma kapacitetet profesionale në ministritë e linjës dhe mbi të gjitha, në Ministrinë e Financave, të cilat duhet të angazhohen që në studimet e due diligence dhe në çdo hap të hartimit, projektimit, implementimit dhe mbikëqyrjes së projekteve që kanë kosto të konsiderueshme buxhetore.

A duhet të dorëhiqet zv.kryeministrja dhe ministrja Balluku nga postet që mban, duke qenë se është e pandehur nga SPAK?

Mundohem të theksoj gjithmonë se vendi ynë ka nevojë për një kulturë shtetformuese, ku në qendër është ndarja, balanca dhe kontrolli mes tri pushteteve: qeveria, parlamenti dhe gjyqësori. Në këtë aspekt, prezumimi i pafajësisë është një element thelbësor i të drejtave universale të çdo individi. Çdo person që nuk është dënuar me vendim të formës së prerë është i pafajshëm dhe nuk duhet t’i cenohen të drejtat e tij njerëzore. Për më tepër, çdo shtetas duhet të gëzojë plotësisht dhe pa cenuar liritë e tij.

Në këtë rast a kemi të bëjmë me dy standarde? Për një arkë peshk u arrestua ish-zv.ministrja Rovena Voda, ndërsa ministrja Balluku akuzohet për një aferë të madhe si tuneli i Llogarasë, ndërkohë që mban ende postet e saj?

Në këndvështrimin tim, znj.Voda pagoi një çmim të rëndë publik dhe një dënim penal disproporcional. Riintegrimi në jetën shoqërore, ekonomike e deri politike i çdo të dënuari është testi real i shpresës së pa vrarë përfundimisht për çdo shqiptar të dënuar. Për shkak të njohurive jo të plota në fushën e jurisprudencës, mbetem të mos i paragjykoj dhe analizoj publikisht vendimet e gjyqësorit, përse në një rast aplikon një formë specifike ndalimit të të akuzuarve dhe në një rast tjetër, një formë më të rëndë. I mbetem qëndrimit se parimi prezumimit të pafajësisë duhet të parim i detyrueshëm në çdo fazë të hetimit dhe gjykimit.

Si ndikon qëndrimi i ministres Balluku në detyrë gjatë hetimeve ndaj besimit publik dhe transparencës së qeverisjes?

Në parim çdo akuzë apo hetim i anëtarëve të qeverisë dhe politikanëve në përgjithësi ka një ndikim jo pozitiv në publik. Por përmasat e pasojave shoqërore dhe politike i vlerëson kryeministri dhe vetë personi. Ky debat është etik, publik dhe politik. Në aspektin publik dhe politik, vendimmarrjet ndaj qeveritarëve në hetim i ka kryeministri i vendit. Në aspektin etik, vendimi për të dhënë apo jo dorëheqjen është individual. Eksperiencat e vendeve të tjera me kulturë më të gjatë shtetformuese dhe institucione realisht të pavarura aplikojnë hetimin jo me arrest me burg për politikanët dhe njëkohësisht edhe për qytetarët e tyre. Rishikimi i Kodit Penal është një moment shumë i mirë dhe i rëndësishëm për të përmirësuar kuadrin ligjor drejt respektimit te parimit themelore të prezumimit të pafajësisë.

Çfarë masash do të ishin të duhura për të garantuar llogaridhënie dhe respektimin e ligjit?

Parandalimi është ilaçi më i mirë. Parimet themelore të mirëqeverisjes, ku bëjnë pjesë rritja e transparencës në çdo hallkë dhe në çdo fazë të mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimit sa më efektiv të tyre është jetike për të krijuar premisë parandaluese kundër korrupsionit. Kjo kërkon respektimin me rigorozitet të të gjitha ligjeve, ndarjen e pushteteve midis niveleve politike dhe administrative. Hetimi i rasteve të shkeljeve ligjore, të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës duhet të jetë sa më i shpejtë, sa më i plotë dhe i paanshëm.

Si e vlerësoni punën e SPAK? A mendoni se po godet korrupsionin me të njëjtat standarde për të gjithë aktorët politikë?

Shpresoj se SPAK-u është pjesa më efektive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrshëm, shpresat e mëdha dhe arritjet konkrete kanë ndikimin e tyre në perceptimin publik dhe ushqejnë qëndrime kritike dhe akuza të rënda publike. Besoj se prokurorët dhe gjyqtarët e BKH-së dhe SPAK-ut kanë në qendër të punës së tyre profesionalizmin, integritetin, por edhe kurajën. SPAK ka mbështetjen e të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Kudo për këto struktura edhe në vendet e reja të BE-së, pasi bëhen funksionale dhe fillojnë të prekin edhe “të paprekshmit” e të krimit të organizuar dhe korrupsionit – si shqetësim i madh për vendet e tyre – ato atakohen shpesh publikisht dhe jo pak edhe politikisht.

Gjykata Kushtetuese riktheu Erion Veliajn në detyrë. Ky vendim, sipas jush, i shërben interesit publik apo politikës?

Vendimet që merr Gjykata Kushtetuese kanë gjithmonë një interes publik. Interesi publik është si në rastet specifike, ashtu edhe në rritjen e besimit publik ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, që duhet të jenë kolonat garantuese të funksionimit të shtetit ligjor. Ky vendim ka rëndësi politike në respektimin e parimeve të ndarjes së pushteteve, decentralizimit, të prezumimit të pafajësisë dhe aq më tepër në sfidat e integrimit europian të vendit.

Çfarë mesazhi iu jep qytetarëve fakti që një drejtues i Bashkisë së Tiranës, që ka pasur akuza ose dyshime për shkelje, mund të kthehet në detyrë?

Mesazhi që percepton publiku është i miks. Nga njëra anë, rikthimi detyrë i një drejtuesi të zgjedhur nga qytetarët me një vendim të Gjykatës Kushtetuese konfirmon rëndësinë e institucioneve dhe të respektimit të procedurave ligjore. Nga ana tjetër, për sa kohë hetimet janë ende në proces, ky rikthim ngre dilema mbi standardet e qeverisjes dhe transparencës, të cilat janë thelbësore për forcimin e besimit publik. Për fat të keq, në një klimë të polarizuar politike, çdo vendim i tillë lexohet jo vetëm institucionalisht, por edhe politikisht. Pikërisht për këtë arsye na duhet një sistem transparence maksimale, një sistem më i fortë llogaridhënieje dhe një kulturë politike më e matur.

A shihni këtu një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e institucioneve dhe kontrollin e ligjshmërisë së aktorëve politikë?

Rreziku ekziston sa herë që vendimet gjyqësore interpretohen ose keqpërdoren politikisht. Precedenti i rrezikshëm nuk është fakti që një drejtues rikthehet në detyrë pas një vendimi gjyqësor, kjo është normale në çdo shtet ligjor. Problemi lind kur sistemi politik tenton ta përdorë këtë si argument për të relativizuar përgjegjësitë, për të ushtruar presion ndaj institucioneve të drejtësisë ose për të dërguar sinjale të gabuara tek administrata publike. Pavarësia e institucioneve nuk mbrohet vetëm me ligje, por me sjellje politike të përgjegjshme. Nëse aktorët politikë i respektojnë kufijtë e tyre kushtetues dhe ndajnë qartësisht përgjegjësitë, atëherë vendime të tilla nuk rrezikojnë sistemin. Rënia e besimit publik ndaj institucioneve kushtetuese dhe politikës në tërësi e bënë më të vështirë qeverisjen e vendit.

/Gazeta Panorama

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb