Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, ku demokratët kërkuan largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila prej javësh është marrë e pandehur nga SPAK.
Bardhi deklaroi se Balluku është sot figura më e fuqishme brenda qeverisë dhe, sipas tij, përfaqëson boshtin e aferave korruptive të mazhorancës.
“Nuk është qeveria Rama, është qeveria Balluku. Sot kemi qeverinë e Belinda Ballukut,” u shpreh ai, duke nënvizuar se ndikimi i saj në qeverisje ka tejkaluar çdo figurë tjetër të kabinetit.
Sipas Bardhit, çdo zhvillim ligjor që preket zv/kryeministren përbën një tronditje të drejtpërdrejtë për gjithë qeverinë. “Unë besoj se rënia e zv/kryeministres është goditje ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së Edi Ramës,” tha ai, duke shtuar se Balluku “ka ekzekutuar çdo aferë korruptive të kësaj qeverie”.
Bardhi shkoi edhe më tej, duke e konsideruar përgjegjësinë e saj të lidhur ngushtë me vetë kryeministrin. “Rënia e saj është rënia de-facto e qeverisë së Edi Ramës. Kështu e shoh unë nga fuqia që ka ajo dhe nga sasia e aferave që ka bërë së bashku me kryeministrin,” u shpreh ai.
