Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë një interviste në emisionin “Log.” në News24, ka reaguar ashpër ndaj mosthirrjes së Asim Vokshit në Presidencë për t’u betuar si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi akuzoi Presidentin Bajram Begaj për papërgjegjshmëri dhe vonesa të pajustifikuara në kryerjen e detyrimeve kushtetuese. “Kushtetutbërësi nuk e ka çuar kurrë ndërmend që vendi do kishte president Bajram Begajn ndonjë ditë. Nuk i ka shkuar në mendje të ketë një president të papërgjegjshëm që rri gjithë ditën kot,” deklaroi Bardhi.
Ai vijoi akuzat me tone kritike, duke ironizuar daljet publike të kreut të shtetit. “Shkon në Gjirokastër për të ngrënë qofte dhe byrek, shkon diku tjetër për të pirë raki. Është kthyer në turist, ndërsa detyra i kërkon të mos vonojë thirrjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh ai.
Bardhi ngriti pyetjen pse presidenti ka vepruar shpejt për betimin e ministrave të rinj, ndërsa për një gjyqtar kushtetues, sipas tij, po zvarrit procedurën. “Pse i ftoi ministrat për betim ditën që i zgjodhi Kuvendi? Ndërsa për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese ‘ka kohë’. Ky ka qenë koncepti i kushtetutbërësit,” tha ai, duke argumentuar se vonesa dëmton funksionimin e institucionit më të lartë të kontrollit kushtetues.
