Deputeti i PD Oerd Bylykbashi është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Në një deklaratë për mediat ai ka deklaruar se u thirr në lidhje me kallëzimin e grupit parlamentar të PD për “Eco Parkun”.
Bylykbashi konfirmoi se janë bashkuar dy procedime, njëri i nisur kryesisht nga vetë SPAK dhe tjetri nga kallëzimi i PD.
Oerd Bylykbashi: Së pari për të qenë korrekt, unë sot isha këtu në cilësinë e kallëzuesit, të një prej kallëzuesve, pra deputetë të Partisë Demokratike, në lidhje me çështjen, me aferën e Ecopark-ut. Është një kallëzim, i cili është bërë në marsin e vitit 2024, dhe që është bashkuar me ç’kuptoj dhe me një procedim që ka nisur më herët kryesisht nga, nga Prokuroria e Posaçme. Dhe isha thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi faktet. Unë jam një nga kallëzuesit. Kallëzuesit, është një grup deputetësh, një kallëzim i bazuar mbi hetime të ekspertëve antikorrupsion dhe ligjorë të Partisë Demokratike. Kështu që për këtë çështje isha sot.
Gazetar: Kush janë të kallëzuarit?
Oerd Bylykbashi: Atëherë, duke filluar nga, kryeministri Rama, kallëzimi është publik, është, ne kemi bërë një konferencë. Po aty është një çështje e cila juve, ne e kemi denoncuar që në atë kohë që është një aferë e pastër korruptive ku, është kontraktuar për 19 milionë euro diçka që më pas një kompani që është e lidhur drejtpërdrejtë me kompaninë e inceneratorëve, me Integrated Energy, e ka bërë vetëm për 6 milionë e gjysëm euro. Pra 12 milionë e gjysëm euro të shqiptarëve janë vjedhur. Dhe në raport është edhe më keq se sa rasti i tunelit të Llogarasë po ta marrim këtë aspekt. Por, pra mbi bazën e atij kallëzimi dhe atij materiali denoncues që ne analizuam dhe prezantuam, bëmë kallëzimin dhe sot isha në këtë cilësi.
Gazetari: Ju jeni jurist dhe mund ta kuptoni në çfarë faze është kjo me Eco Park-un. A rritët ta kuptoni qoftë nga pyetjet, qoftë nga…
Oerd Bylykbashi: Unë besoj që do t’i bazohem asaj që tha zoti Dumani në Komisionin e Ligjeve kur i bëmë pyetje në lidhje me këtë çështje dhe tha që është në përfundim hetimi. Pra i referohem asaj dhe më shumë nuk mund të them. Nga ana tjetër është, duhet të respektojë dhe po themi sekretin e veprimeve hetimore, por unë kam dijeni kaq. Neve pra rishprehim, po kallëzimi është i deputetëve të grupit parlamentar. Po është një çështje të cilën duke qenë se prek drejtpërdrejt zonën zgjedhore Bashkinë Durrës, sigurisht që kam patur një interes të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Gazetari: Zoti Bylykbashi, ju shohim me dokumenta, keni dorëzuar apo keni marrë dokumenta?
Oerd Bylykbashi: Këto janë dokumentat që kallëzimi penal, dokumentacioni që ne kishim gati për të, që kemi bërë gati në atë kohë për këtë çështje. Ju falenderoj.
Denoncimi i PD
Partia Demokratike ka depozituar kallëzimin penal për “Eco Park” në Porto Romano, një projekt që, sipas opozitëas mban firmën dhe urdhrin e Edi Ramës. Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se faktet janë të qarta dhe të dokumentuara. Duke paraqitur një kronologji të hollësishme të ngjarjeve dhe veprimeve institucionale, Bylykbashi ka theksuar se gjithçka ishte planifikuar që përpara shpalljes së tenderit, në bashkëpunim me kompaninë e inceneratorit të Tiranës, që zyrtarisht nuk ekziston.
Sipas PD, kryeministri Edi Rama është paraqitur vetë në kantierin e hapur në dhjetor 2019 duke dhënë urdhra për ecurinë e punimeve, dhe kjo sipas tij është prova më inkriminuese e përfshirjes direkte të kryeministrit në këtë aferë me vlerë 1.9 miliardë lekë.
Çfarë deklaronte Oerd Bylykbashi në 14 prill 2025
Mbushet plot 1 vit që nga dita kur kemi bërë kallëzimin penal për aferën e ‘Eco Park’, e cila mban firmën e Edi Ramës. SPAK, prej më shumë se një viti, ka faktet mbi tryezë sesi Edi Rama në bashkëpunim me kompaninë e inceneratorit Tiranë, inceneratori nuk ekziston, prej gjashtë muaj përpara se të hapë procedura tenderuese për mbylljen e venddepozimit ekzistues të mbejtjeve të ngurta, ‘Eco Park’ Durrës, kontaktoi Kasanova Hernandes, për të zhvilluar projektin arkitekturor në Porto Romano.
Më pas, në tetor të vitit 2019, AKUM, i drejtuar nga Alqi Bllako shpall tenderin me vlerë 1.9 miliardë lekë në dhjetor të vitit 2019. Pak muaj më pas, Anila Denaj, asokohe minister e financave, dërgon shkresën pranë AKUM, dhe i kërkon që të anulohe procedura pasi fondet do të përdoreshin për tërmetin e datës 26 nëntor. Anulimi i procedurës, publikohet në buletinin e datës 16 dhjetor, dhe po në të njëjtën datë Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Emergjencave urdhëron që mbetjet interte të tërmetit, të depozitohen në Porto Romano dhe AKUM tashmë të hape me procedurë të përshpejtuar tenderin për ndërtimin e Eco Park. Në datën 27 dhjetor, lidhet kontrata me subjektet ‘DEAMRE’ dhe ‘ VIKTORIA INVEST’.
E bëmë këtë kronologji, pasi datat janë shumë të rëndësishme në këtë aferë për të kuptuar se e gjitha ka ndodhur me firmën dhe urdhrin e Edi Ramës, tha Bylykbashi.
