Sa herë që zëvendëskryeministrja Belinda Balluku hyn e del nga zyra, sa herë shfaqet e lirë dhe e kuruar në publik, apo më tej akoma, sa herë udhëton jashtë vendit nga ku poston video e foto të vetes, dalin natyrshëm disa pyetje, përgjigjet e të cilave SPAK ia ka borxh publikut.
-Çfarë po pret Prokuroria e Posaçme për të vepruar, kur ndaj Ballukut ka akuza dhe prova të publikuara prej ditësh?
-Si është e mundur që një zyrtare e lartë, e shpallur e pandehur, të vijojë detyrën dhe të ketë në dorë të gjithë mekanizmat për të ndikuar, penguar apo prishur provat?
-Kush mban përgjegjësi për rrezikun real të kompromentimit të një çështjeje që lidhet me dhjetëra miliona euro të taksapaguesve?
Sa më shumë zgjatet pritja e SPAK, aq më i madh bëhet rreziku që procesi të kompromentohet. Sepse çdo ditë që kalon, një zyrtare me pushtet të plotë politik e administrativ si Belinda Balluku, ka gjithë mundësinë të përdorë kohën, lidhjet dhe autoritetin për të shuar gjurmë, për të zhdukur ose zhvendosur dokumente, për të ndikuar dëshmitarë, apo për të orientuar vartësit në favor të saj.
Kjo vonesë nuk dëmton thjesht çështjen, dëmton edhe vetë SPAK-un. Institucioni që ka fituar reputacion si i paanshëm dhe i vendosur, rrezikon sot të duket i ngadaltë dhe i kujdesshëm, pikërisht aty ku duhej të ishte më i shpejtë, më i qartë dhe më i prerë. Sepse kur masat mungojnë dhe hetimi ecën ngadalë, krijohet përshtypja se pushteti po sfidon ligjin dhe jo e kundërta.
Nëse drejtësia e re do që të mbetet simbol besueshmërie, nuk mund të lejojë që një zyrtare e lartë, e akuzuar për një aferë të rëndë, të qëndrojë ende në krye të qeverisë, ndërsa hetimi zvarritet.
Publiku pret prova force, jo prova durimi!
