Tedi Blushi ka kërkuar sot në Konferencën e Kryetarëve që Kuvendi të zhvillojë një mocion me debat mbi luftën kundër krimit të organizuar, duke kritikuar ashpër qeverinë për dështimin e saj në këtë fushë.

Blushi u shpreh se atentati mafioz në aeroportin e Rinasit është një alarm kombëtar, që evidenton dështimin e institucioneve të sigurisë dhe të qeverisë për të garantuar mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ai theksoi se 251 drejtues dhe anëtarë bandash janë ende në liri, sipas të dhënave të organeve të drejtësisë, duke nënvizuar mungesën e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar.

Duke iu drejtuar kryetarit të PD-së, Taulant Balla, Blushi deklaroi se: “Ju si ortakë të krimit dhe bandat nuk doni debatin, por siguria e jetës së shqiptarëve të thjeshtë prevalon mbi interesat tuaja kriminale për të bashkëqeverisur me krimin.”.

Ai shtoi se raportimi për masat e marra në luftën kundër krimit është domosdoshmëri, pasi qytetarët ndihen të pambrojtur. Blushi akuzoi shumicën parlamentare se bashkëpunon me bandat kriminale për të penguar rotacionin politik, duke nënvizuar mungesën e vullnetit për të dhënë llogari. Sipas Blushit, çështja e sigurisë kombëtare nuk mund të anashkalohet dhe kërkon debat të hapur dhe të thelluar në Kuvend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: