Vullkani Semeru në Java Lindore të Indonezisë ka shpërthyer fuqishëm mesditën e së mërkurës, duke detyruar autoritetet të ngrenë nivelin më të lartë të alarmit vullkanik. Agjencia kombëtare e vullkanologjisë njoftoi se shpërthimi ka hedhur një sasi të madhe hiri deri në 3,600 metra mbi majën e malit, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për banorët e zonës.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të largohen të paktën 2.5 kilometra nga vullkani, pasi reshjet e nxehta të hirit, të shoqëruara me përzierje shkëmbinjsh, lavash dhe gazrash vdekjeprurës, kanë rrëshqitur deri në 7 kilometra përgjatë shpateve të malit. Shërbimi Gjeologjik Indonezian raportoi se shpërthimi krijoi “ortekë” hiri të nxehtë që përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe pronën në zonë.

Semeru, me më shumë se 3,600 metra lartësi, është vullkani më i lartë i ishullit të Javas dhe një nga rreth 130 vullkanet aktive në Indonezi. Ky vullkan ka pasur aktivitet të përsëritur, ndërsa shpërthimi i vitit 2021 shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave.


Indonezia shtrihet në “Unazën e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik ku takohen pllakat tektonike, duke e bërë vendin një nga më të rrezikuarit në botë për tërmete dhe shpërthime vullkanike. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa banorët janë këshilluar të mbeten larg zonave të rrezikshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: