Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë juglindjen e vendit gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonën e Maliqit, duke dëmtuar dhjetra hektarë tokë bujqësore. Prurjet e larta të lumenjve Dunavec dhe Devoll kanë sjellë daljen e tyre nga shtrati, duke shkaktuar situatë alarmante për fermerët.
Agron Guri, një nga fermerët potencialë të zonës, deklaron se rreth 7 hektarë me patate janë përmbytur plotësisht, ndërsa 8 hektarë me grurë rrezikojnë të dëmtohen nga uji që vazhdon të shtohet.
Edhe Bashkim Guri, një tjetër fermer i zonës, raporton dëme të mëdha në kulturën e misrit.
Ai thotë se 15 dynymë misër i janë përmbytur tërësisht.
Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa rritja e nivelit të ujërave vijon të mbetet shqetësuese për dhjetëra familje bujqësore në zonë.
