Zbulohen emrat e dy vartësve të Ballukut, ndaj të cilëve GJKKO ka caktuar masën ‘arrest shtëpie’.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se bëhet fjalë për Erald Elezin, drejtor i KESH-it, dhe kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Kujtojmë se Elezit i është komunikuar akuza “shpërdorim detyre dhe “shkelje e barazisë në tendera”.
“Është fakt publik ish-drejtori i rrugëve është marrë i pandehur dhe është i dërguar për gjykim në gjyqtarin e seancës paraprake, drejtori aktual është marrë i pandehur. Ish drejtori i KESH është marrë i pandehur dhe po hetohet”, tha kreu i SPAK Altin Dumani rreth një muaj më parë.
E njëjta akuzë iu komunikua edhe kreut të ARRSH Gentian Gjyli.
Mësohet se provat ndaj Elezit janë siguruar nga materialet e sekuestruara në telefonin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili është gjithashtu nën hetim për këtë dosje, por ndodhet në burg që prej marsit 2024 pasi u arrestua me urdhër të SPAK me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
SPAK ka nisur hetimin pasuror ndaj 25 të dyshuarve, 22 individë dhe 3 subjekte private. Ndër fondet dhe tenderat e abuzuar janë edhe ato të eficensës së energjisë elektrike, të subvencionuara nga BE. Hetimet janë në zhvillim dhe përfshijnë një tjetër fraksion që lidhet me zyrtarë të lartë.
Në kohën e kryerjes së veprës penale, si Gjyli edhe Elezi ishin pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), në varësi të Evis Berberit.
