Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka shkarkuar të enjten Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Betimi për Drejtësi, medium i specializuar në fushën e drejtësisë. Shkarkimi është raportuar të jetë bërë me pesë vota për, ndërsa në vendin e tij, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit ë Shtetit, është caktuar Agron Qalaj.

Propozimi për shkarkimin e Kelmendit është bërë nga anëtarja e Këshillit, Jehona Grantolli. Kryesuesi i takimit, Ardian Hajdaraj ka thënë se në takim ka pasur kuorum të mjaftueshëm për votim, dhe që prania e Kelmendit nuk ka qenë e nevojshme pasi ai do të duhej përjashtuar nga procesi, meqë diskutimet janë bërë për të. Kelmendi e ka lëshuar sallën disa minuta para votimit, pasi në diskutime e sipër me anëtarë tjerë të KPK-së, ka vlerësuar që propozimi për shkarkimin e tij është përpjekje për shkatërrim të sistemit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka cilësuar si “vendim të paligjshëm, arbitrar dhe abuziv” vendimin e anëtarëve të KPK-së për shkarkimin e Kelmenti. Sipas IKD-së, në mungesë kuorumi, KPK-ja mori vendimin për shkarkim. “Përderisa me këtë përbërje të KPK, kuorumi minimal i vendimmarrjes është të paktën gjashtë anëtarë, pa të cilët nuk mund të mbahet mbledhja, mbajta e takimit dhe nxjerrja e vendimit për shkarkimin dhe caktimin e ri të U.D. Kryeprokurorit, në mungesë të kuorumit, është një vendim abuziv i një pjese të anëtarëve të KPK, që nuk kanë shumicën e nevojshme për mbajtjen e takimeve të KPK dhe aq më pak për vendimmarrje”, u tha në reagim.

Katër nga pesë anëtarët e KPK-së që votuan sot për shkarkimin e Kelmendin, tha IKD-ja, e përfundojnë mandatin e tyre në janar të vitit 2026. “Nisur nga kjo situatë dhe diskutimet paraprake të KPK në lidhje me zgjedhjen e një anëtare të re në KPK, kjo situatë është tentativë e hapur e grupit të interesit brenda KPK për të ruajtur përbërjen korporatiste, me të cilën ka qeverisur tash e mbi një dekadë”, u tha në reagimin e IKD-së.

Shkarkimi i Besim Kelmendit vjen një ditë pasi ai e ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën i ka mohuar raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut. Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”.

Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë. Kelmendi e ka konfirmuar se gjatë ditës së mërkurë është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra. Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit. Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

Deklarimet e tij vijnë pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë pretendimet e këtij mediumi. Përgjatë konferencës së 19 nëntorit, Kelmendi u pyet edhe pse u ftua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale. “Jam thirrur si dëshmitar sepse një person, që ka qenë prokuror në atë kohë, me emrin Ismet Shufta, kur e kanë pyetur se kush ka punuar në Gjykatë, ai ka përmendur emrat e njerëzve që i kanë rënë ndërmend. I kishte rënë në mend edhe emri im sepse sot jam U.D. i Kryeprokurorit. Nuk e di pse, sepse s’kam marrë asnjë arsyetim”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se është i gatshëm të shkojë sërish në Prokurori për këtë rast.

Për Reçakun
Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje. William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat. Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës. Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb