Ish-ministri i Financave dhe një nga figurat e shquara të Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook pas pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, duke e konsideruar ngjarjen si një “mësim të rëndë” nga historia e politikës.

“Në një vend ku deputetët i shërbejnë verbërisht liderit, korrupsioni jo vetëm që lind, por lulëzon,” shkruan Malaj, duke cituar një thënie të njohur.

Ish-ministri kujton iniciativën e tij dhe disa ish-deputetëve socialistë për Lëvizjen për Mendimin Ndryshe (LMN) brenda PS-së:

“Kur ne paralajmëronim se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute, u penalizuam në karrierën politike dhe profesionale. Kur ishim thellësisht të zhgënjyer nga mënyra si përfaqësuesit e PS-së në parlament dhe qeveri po vetë-konvertoheshin në të bindur të verbër, sulmet e ‘armatave digjitale’ nuk pushonin.”

Malaj thekson se nuk ka qenë kurrë kundër PS-së si parti, por kundër modelit të pushtetit pa demokraci të brendshme dhe pa mendim kritik: “Sot PS është në momentin për të reflektuar thellësisht dhe për të reduktuar maksimalisht këto rreziqe potenciale që janë në rritje.”

Në fund, ish-ministri sjell pesë citate nga mendimtarë të mëdhenj botërorë, John Stuart Mill, George Orwell, Montesquieu, Václav Havel dhe Thomas Jefferson, për të argumentuar domosdoshmërinë e lirisë së mendimit dhe të debatit si e vetmja mbrojtje kundër pushtetit absolut dhe korrupsionit.

Screenshot 68
Screenshot 68

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb