Ministria e Kulturës favorizoi Albautor, nuk i hoqi licencën
Ministria e Kulturës ka përdorur dy standarte përsa i përket rilicencimit të agjencive të administrimit kolektiv pasi edhe kur shkelin ligjin agjencitë, i rilicencojnë. Rasti konkret lidhet me ish-agjencinë Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë (FMAA) pasi i është hequr licenca sepse nuk ka bërë transparencë dhe ka kaluar kostot administrative, pavarësisht se shumë herë më shumë se Albautor. Ky fakt del në pah edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por Ministria ia ka hequr licencën vetëm FMAA-së, kurse Albautorit nuk ia ka hequr ose pezulluar.
Madje në vitin 2021, sipas auditit Albautor është rilicencuar në shkelje të ligjit nga Ministria e Kulturës nën drejtimin e Elva Margaritit.
Sipas ekspertes Çollaku, procedura dhe kufiri ligjor i shpenzimeve që do të duhet të harxhojë një agjenci është i rregulluar në nenin 151 të ligjit për të drejtën e autorit.
“Aty ligji, neni parashikon që 30% e të ardhurave të shpërndara do të duhet të jetë kufiri ligjor maksimal që një agjenci do të duhet të shpenzojë për të mbuluar kostot e administrimit të stafit”, tha avokatja Çollaku.
Megjithëse janë identifikuar shkelje të përsëritura, Ministria e Kulturës nuk ka nxjerrë asnjë akt administrativ për pezullim ose heqje licence për agjencinë. Përkundrazi, sipas auditit Ministria ka kryer ripërtëritje licence me kusht për agjencinë në kundërshtim me parashikimet ligjore.
Duke parë rilicencimin e Albautor në vitin 2024, konstatojmë se gëzon licencë për administrimin e veprave letrare, artistike, shkencore, duke përjashtuar audiovizualin. Por shtrohet pyetja, a ka kompetenca “Albautor” të përfaqësojë muzikën, kur në licencë ka tjetër gjë të shkruar?
Një problem tjetër që kanë ngritur autorët është edhe mungesa e plotësimit të formularit kur performojnë nëpër koncerte apo evente muzikore.
“Një problem shumë i madh që vjen pikërisht nga Albautori, nga kjo shoqatë që duhet të mbrojë të drejtën e autorit është që nuk ekziston një formular që është i detyrueshëm t’i jepet atij që organizon spektalin. Në këtë formular përpara se të jepet shfaqja, duhet të shkruhen me përgjegjësi nga autori që organizon të gjithë kompozitorët dhe autorët e veprave që do luhen. Ju e dini që në Shqipëri nuk ekziston një formular i tillë?”, tha kompozitori Gjergj Leka.
Neni 140 i ligjit për të drejtën e autorit e thotë në mënyrë taksative që përpara se të nisësh një aktivitet tregtar, do të duhet të pajisesh me autorizim dhe të deklarosh listën e veprave që do të përdoresh. Kjo vlen për televizonet, radiot dhe për çdo subjekt tregtar, përfshirë edhe një organizator të një koncerti.
Pra, përpara se të organizohet koncerti, duhet të paraqitesh te SUADA dhe të marrësh autorizimin përkatës për listën e veprave që përdoret.
Disa ditë pas episodit të parë të “Vetting” në 30 tetor 2025 për denoncimet nga autorët, do të vinte një letër paralajmëruese nga avokatët e agjencisë Albautor.
Në lidhje me këtë letër, redaksia “Vetting” deklaron publikusht se u qendron fakteve që janë publikuar në dokumentarin e 30 tetorit 2025 pasi ato janë dëshmi të mbledhura nga artistët, dokumente zyrtare nga Ministria e Kulturës dhe raporte nga Kontrolli i Lartë i Shtetit
Deklarojmë se përpjekjet e një agjencie, e cila edhe sot që flasim kërkon zbatimin e ligjit ndërkohë që është shkelëse e ligjit 35/2016 për të Drejtën e Autorit, janë forma intimidimi për të mos u dhënë zë artistëve të nderuar, që kanë një kontribut të pazëvendësueshëm në artin shqiptar. Madje në letër, Albautor ka edhe një paralajmërim për artistët, të cilët thjesht kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e transparencës se si shpërndahen të ardhurat.
Letra që ka dërguar zyra e avokatisë është letër shantazhi pasi nëse Albautor ka konstatuar një element që nuk qendron apo është shpifje duhet ta adresojë në gjykatë.
Madje edhe në telefonatën midis gazetarit dhe drejtorit Erion Muka, ky i fundit deklaroi se “News24” nuk e ka zbatuar ligjin për të drejtën e autorit, ndërkohë që “News24” është televizion informativ, duke treguar përpjekjet e agjencisë për t’i bërë presion redaksisë që të tërhiqet nga ekspozimi i fakteve.
Redaksia “Vetting” rikonfirmon se Albautor ka tejkaluar kompetencat e veta si Agjenci e Administrimit Kolektiv, ka lidhur kontrata me agjenci simotra të huaja për fusha që nuk janë në kompetencën e saj.
“Vetting” i ka bërë një kërkesë për koment Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, konkretisht Drejtorisë të së Drejtës së Autorit për shkeljet e Albautor.
Këto janë fakte të konstatuara nga Drejtoria e së Drejtës së Autorit në Ministri dhe nga auditi, por që deri më sot nuk është marrë asnjë masë ndaj agjencisë nga Drejtoria apo Ministria e Kulturës.
