Një takim i zhvilluar në fund të tetorit në Miami midis administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe Kirill Dmitriev, i dërguari rus që ndodhet nën sanksione të SHBA-së, ka shkaktuar shqetësim të thellë në qeverinë amerikane dhe në Kongres, raportojnë burime të shumta për Reuters.

Takimi, i organizuar në Bregun Lindor të SHBA-së, mblodhi së bashku të dërguarin special Steve Witkoff, dhëndrin e Presidentit Trump, Jared Kushner, dhe Dmitriev, kreun e Fondit Rus të Investimeve Direkte (RDIF). RDIF dhe Dmitriev janë vendosur në listën e zezë të SHBA-së që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke ndaluar çdo kontakt financiar me ta.

Sipas një zyrtari amerikan, administrata Trump lëshoi një përjashtim të posaçëm për hyrjen e Dmitrievit në territorin amerikan. Takimi u mbajt në hotelin “Faena” në Miami, pronë e Access Industries të miliarderit Len Blavatnik, i cili mban lidhje biznesi me oligarkun rus Viktor Vekselberg, edhe ky nën sanksione. Kompania e Witkoff ka marrëdhënie të gjera biznesi me Blavatnik në Miami.

Një plan paqeje me 28 pika që befasoi diplomacinë amerikane

Nga bisedimet rezultoi një plan me 28 pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Dokumenti, i publikuar këtë javë nga Axios, shkaktoi befasi në agjencitë qeveritare të SHBA-së dhe hutim në ambasadat në Uashington dhe kryeqytetet evropiane. Plani është kritikuar ashpër nga Ukraina dhe aleatët perëndimorë, të cilët e shohin atë si tejet të favorshëm për Moskën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se nuk do të pranojë “asnjë marrëveshje që tradhton interesat e Ukrainës”. Nuk dihet nëse Dmitriev erdhi në Miami me kërkesa konkrete ruse. Dy burime thanë se Rustem Umerov, sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, udhëtoi në Miami në fillim të javës për t’u informuar mbi planin. Sipas burimeve, SHBA-të ia transmetuan zyrtarisht dokumentin Ukrainës përmes Turqisë të mërkurën dhe më pas drejtpërdrejt Kievit. Umerov tha se pjesëmarrja e tij ishte “teknike” dhe se nuk kishte diskutuar thellësisht përmbajtjen.

Shtëpia e Bardhë: Plani duhet të garantojë siguri për të gjitha palët
Shtëpia e Bardhë theksoi se çdo plan paqeje duhet të sigurojë garanci sigurie dhe parandalimi për Ukrainën, Evropën dhe Rusinë, si dhe stimuj ekonomikë për Kievin dhe Moskën. Zëdhënësja Caroline Levitt deklaroi se dokumenti reflekton “realitetet në terren” dhe kërkon “një zgjidhje reciprokisht të dobishme”.
Presidenti Trump tha se pret që Zelensky të miratojë planin deri në Ditën e Falënderimeve, duke paralajmëruar se ndihma ushtarake amerikane mund të pezullohet nëse Kievi nuk e pranon, raportoi Reuters.

Shqetësim në diplomacinë amerikane dhe Kongres
Një numër zyrtarësh të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk janë informuar për negociatat. I dërguari special për Ukrainën, Keith Kellogg, i përfshirë ngushtë në proceset diplomatike me Kievin dhe që pritet të largohet nga detyra në janar, dyshohet se është anashkaluar plotësisht.
Ndërkohë, disa zyrtarë konfirmuan se Sekretari i Shtetit Marco Rubio ishte informuar për ekzistencën e planit, por nuk dhanë detaje se kur. Të tjerë mohuan çdo koordinim ndër-agjencive, duke pohuar se Rubio nuk kishte parë fare dokumentin, i cili përmbante ide që ai i kishte refuzuar më herët. Edhe në Kongres klima po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Senatori republikan Roger Wicker e cilësoi planin “problematik” dhe theksoi se Ukraina nuk mund të detyrohet t’i dorëzojë territor Rusisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: