Rruga që lidh fshatrat Kolonjë dhe Golëm në Bashkinë Gjirokastër vijon të jetë e bllokuar prej pesë ditësh, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e pandërprera të shiut. Segmenti është bërë pothuajse i pakalueshëm, duke izoluar tërësisht banorët e fshatit Golëm.

Sipas banorëve, rrëshqitjet janë të vazhdueshme dhe prurjet e dheut e bllokojnë rrugën menjëherë pas çdo reshjeje. Edhe pse situata është raportuar disa herë, firma kontraktore nuk ka kryer asnjë ndërhyrje të plotë për pastrimin dhe hapjen e rrugës, ndërsa reshjet e ditëve të fundit e kanë përkeqësuar më tej gjendjen.

Banorët raportojnë se ndodhen në vështirësi serioze për lëvizje, furnizim dhe emergjenca, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet për garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së tyre.

Aktualisht, rruga mbetet e bllokuar dhe nuk ka një afat të deklaruar për ndërhyrje, ndërsa reshjet e shiut vijojnë të rrisin rrezikun e rrëshqitjeve të reja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb