Gjatë natës, reshjet e borës kanë vijuar në disa zona malore të qarkut të Shkodrës, duke mbuluar kështu disa akse rrugore.

Në segmentin Hani i Hotit – Dogana Vermosh, bora ka rënë në lartësitë mbi 1000 metra, ndërsa dy borëpastruese kanë qenë gjatë gjithë kohës në punë për të pastruar rrugën dhe për të garantuar qarkullimin e automjeteve. Aktualisht, lëvizja e mjeteve në këtë aks vijon normalisht dhe pa probleme.

Ndërkohë, situata paraqitet e njëjtë në aksin Bogë – Theth, ku bora ka vazhduar pothuajse gjatë gjithë natës dhe vijon ende me intensitet.

Trashësia e saj ka kaluar 40 centimetra, ndërsa ekipet e firmës kontraktuese po punojnë me forca të shtuara për të mbajtur të hapur rrugën dhe për të siguruar qarkullim të pandërprerë.

Aktualisht edhe rruga Bogë-Theth është e kalueshme për automjetet.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes dhe të jenë të pajisur me zinxhirë dhe goma dimërore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb