Shqipëria mbylli një edi cion emocionues dhe natyrisht të suksesshëm në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë arritën të sigurojnë vendin e dytë në grup, çka do të thotë se në muajin mars do të kenë 2 finale për të shkuar për herë të parë në histori në Botëror. Për Shqipërinë, natyrisht kjo është një arritje e madhe pasi kurrë më parë nuk kishte mundur të shkonte deri në këtë fazë të Botërorit, ndërkohë që trajneri Silvinjo, pavarësisht kritikave po shkruan histori.
Silvinjo që në debutimin e tij me Shqipërinë, arriti të kualifikonte kuqezinjtë në Europian për herë të dytë në histori, ndërsa zhvilloi edhe një kompeticion të plotë në Ligën e Kombeve. Kupa e Botës është për Silvinjon padyshim arritja më e madhe nëse kuqezinjtë arrijnë të fitojnë edhe ndeshjet e muajit mars. Por, si është paraqitur Shqipëria në të gjitha këto kompeticione me trajnerin brazilian?
KUALIFIKUESET E EUROPIANIT- Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në Europian, duke dalë si vendi i parë nga një grup jashtëzakonisht i vështirë. Kuqezinjtë kishin në grup Poloninë dhe Çekinë, të cilat në fillim të eliminatoreve shiheshin si favoritet kryesore, ndërsa ishin pjesë e grupit tonë edhe Moldavia dhe Ishujt Faroe, skuadra të cilat mund të përdoreshin nga rivalët “e fortë” për të rregulluar golaverazhin e tyre.
Kështu, Shqipëria e nisi këtë rrugëtim me një humbje në Poloni, por paraqitja jonë atje, dha shumë besim se gjërat ishin në rrugën e duhur dhe se me lojë të mirë, do të vinin edhe rezultatet. E në fakt, kështu ndodhi pasi Shqipëria arriti të merrte më pas fitore ndaj Moldavisë në Tiranë, Ishujve Faroe në transfertë, mori një barazim me shumë vlera ndaj Çekisë në transfertë e më pas arriti të fitonte sërish në Tiranë ndaj Polonisë dhe ndaj Çekisë.
Këto fitore, e siguruan matematikisht grupin tonë dhe Shqipëria e mbylli si vendi i parë me 15 pikë në 8 ndeshje të luajtura, po aq sa kishte edhe Çekia por përballjet direkte favorizuan kuqezinjtë. Në fakt, zhgënjim për tifozët ishin dy ndeshjet e fundit ndaj Ishujve Faroe dhe ndaj Moldavisë. Të gjithë tifozët prisnin rezultate dhe gola por në fakt Shqipëria u ndal në dy barazime, fillimisht 1-1 me Moldavinë e më pas 0-0 me Ishujt Faroe duke “shkelur” mundësinë për të pasur 19 pikë. Por, fituesi nuk gjykohet dhe Shqipëria arriti që të kualifikohet në Europian, këtë herë pa rezultat në tavolinë.
EUROPIANI- Shorti e vuri Shqipërinë në një grup shumë të vështirë, aty ku përballë nesh do të ishin Italia, Kroacia dhe Spanja me këta të fundit që arritën të fitonin edhe titullin kampion në fund. Kuqezinjtë e nisën Europianin në mënyrën më të mirë të mundshme duke shënuar ndaj Italisë pas 23 sekondash, por më pas skuadra u duk sikur u fik dhe u mund nga “axurrët” me rezultatin 2-1. Në ndeshjen e dytë Shqipëria bindi ndaj Kroacisë në një nga ndeshjet më të bukura të atij Europiani duke barazuar 2-2, por në sfidën e fundit ndaj Spanjës, kuqezinjtë u mundën sërish duke mos arritur të kalonin grupin “e vdekjes”.
LIGA E KOMBEVE- Dështimi më i madh në kohën e Silvinjos, ishte padyshim paraqitja e Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë ishin në grup me Çekinë, Gjeorgjinë e Ukrainën në Ligën B, ku synohej Liga A ose të paktën, një nga vendet e para për të mos rrezikuar rënien në një Ligë më poshtë. Por, nuk ndodhi as njëra e as tjetra, sepse Shqipëria përfundoi në vendin e katërt duke rënë zyrtarisht në Ligën C. Përveç rezultateve negative dhe zhgënjimit të pësuar, Liga e Kombeve kishte edhe një problem tjetër të madh për kuqezinjtë.
Silvinjo grumbulloi thuajse të gjithë lojtarët që ishin në Europian dhe nuk i dha mundësi të rinjve, duke e mbyllur këtë kompeticion jo vetëm me rënie nga Liga, por edhe pa asnjë lojtar të fituar, që mund të ndihmonte Shqipërinë në kualifikueset e Botërorit. E në fakt, kështu ndodhi pasi në Botëror kishin minuta thuajse të gjithë lojtarët e Europianit, përveç atyre që u tërhoqën nga ekipi Kombëtar.
BOTËRORI- Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në këto kualifikuese duke mundur Andorrën por pa shkëlqimin që kishte në Europian apo edhe kualifikueset e Europianit. Shqipëria nuk po shënonte më golat e bukur që kishte në kualifikuese megjithatë ishte më cinike, po merrte më shumë pikë dhe nuk pësoi gola. Kështu, Shqipëria mori fitore të vlefshme dhe historike në Serbi dhe përveç atij hapi fals në Letoni ku u ndal në barazaim 1-1, thuajse të gjitha ndeshjeve të tjera kuqezinjtë i morën maksimumin që mund të merrnin.
Në këtë mënyrë, u kualifikuam si vend i dytë dhe në mars do të kemi provën e fundit. Në këtë provë të fundit, do të vendoset edhe e ardhmja e Silvinjos, e ndoshta mund edhe të mos ndikojë në vendimin që do të merret. Është thënë nga Duka, se nëse Shqipëria kualifikohet në Botëror, Silvinjo do të vazhdojë të jetë trajner i Shqipërisë, në të kundërt do të rishikohet pozicioni i tij. Por, kontrata i përfundon në dhjetor dhe automatikisht është shtyrë për në muajin mars kur edhe do të luhen 2 ndeshjet e fundit. Megjithatë, ndeshjet në mars nuk janë me sistemin vajtje-ardhje, por janë me ndeshje teke dhe gjithçka mund të ndodhë. Nëse palët bien dakord, nuk është çudi që Silvinjo të rinovojë kontratën dhe të vazhdojë të drejtojë Shqipërinë.
