Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e radhës para godinës së Kryeministrisë, ku deputetja Ledina Aliolli mbajti një fjalim të fortë ndaj qeverisë, duke akuzuar kryeministrin dhe ministrat për korrupsion të thellë dhe keqmenaxhim të projekteve publike.
Aliolli deklaroi se situata në vend është “dramatike” dhe se qytetarët po përballen çdo ditë me varfëri, ndërkohë që sipas saj, qeveria shfaq luks dhe shpërdorim të fondeve publike. Ajo akuzoi veçanërisht Belinda Ballukun, duke thënë se “e pandehura Balluku ka kthyer çdo projekt në burim fitimi për veten”.
Një nga shembujt që solli deputetja demokrate ishte projekti i rrugës Qukës–Qafë Plloçë, i cili, sipas saj, ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme të kostos. “Ky projekt nisi me 70 milionë euro dhe sot u ka kushtuar qytetarëve 260 milionë euro. Kosto e trefishuar, ndërsa janë ndërtuar vetëm 43 kilometra rrugë në tre vite”, u shpreh Aliolli, duke e cilësuar këtë si një skandal të paprecedentë në rajon.
Ajo paralajmëroi se një rrugë e tillë, e shtrirë në kushte problematike dhe me një faturë kaq të lartë, “mund të kthehet në rrugë vdekje për çdo qytetar të këtij vendi”.
Aliolli u ndal edhe tek rruga Korçë–Ersekë, për të cilën tha se janë shpenzuar 80 milionë euro dhe është inauguruar pa u kolauduar siç duhet. “Qeveria ka nxituar të presë shiritin pa menduar se po rrezikon jetë njerëzish”, deklaroi ajo para protestuesve.
