Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalimin e tij në foltoren e ngritur nga PD para Kryeministrisë, duke u ndalur te zhvillimet e fundit që lidhen me pezullimin e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe akuzat ndaj saj.
Në fjalën e tij, Berisha komentoi edhe takimin 7-orësh midis kryeministrit Rama dhe Ballukut, që u zhvillua pak ditë më parë në Kryeministri, menjëherë pasi GJKKO e pezulloi nga detyra.
Berisha pretendoi se gjatë këtij takimi ka pasur tensione dhe përplasje mes Ramës dhe Ballukut, duke përshkruar një version të ngjarjeve.
“Këta kanë ndejtur këtu 7 orë. Hajduti është qenia më pa moral në botë. Por muret kanë vesh,” u shpreh Berisha, duke shtuar se Rama i kishte kërkuar Ballukut të jepte dorëheqjen. “Jo, nuk e jap dorëheqjen, se pastaj shkoj në burg,” është varianti që Berisha i atribuoi Ballukut.
Më tej, ai deklaroi se në dosje janë bërë publike mesazhe që, sipas tij, rëndojnë jo vetëm Ballukun, por edhe kryeministrin. “Rama i ka thënë: çfarë t’u bëj mesazheve të tua?”, u shpreh Berisha se i ishte drejtuar kreu i qeverisë Ballukut.
Berisha tha se Balluku i ka kërkuar Ramës që rasti i saj t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese nga qeveria, por se kryeministri fillimisht kishte refuzuar. Sipas tij, vendimi i sotëm i Ramës për ta çuar çështjen në Kushtetuese nuk ka të bëjë me mbrojtjen e Ballukut, por “vetëm me interesat e tij personale”.
“Ai që mendon se Rama po e bën për njerëzi ndaj Ballukut, mendon një budallallëk. E bën vetëm për veten. Sepse vetë nuk shkonte dot, nuk ka pasur kombi hajdut më ordiner se Balluku,” tha Berisha.
Ai shtoi gjithashtu se Balluku, sipas tij, “nuk mund të shkonte në Ankara për çështjen e tunelit të Llogarasë”, duke pretenduar se Rama e ka marrë me vete dhe se “pazaret i ka bërë ai”.
