Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, mbërriti të hënën në Abu Dhabi për të nisur bisedimet e para të drejtpërdrejta me kreun e inteligjencës ushtarake të Ukrainës dhe një delegacion rus, raportoi Financial Times. Sipas burimeve të njohura me situatën, takimi i parë u zhvillua mbrëmjen e së hënës, ndërsa diskutimet do të vazhdojnë edhe të martën.
Ende nuk dihet se kush përbën ekipin negociator rus, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë koment për takimin. Vizita e Driscoll vjen në një moment kritik, pasi Uashingtoni dhe Kievi po përpiqen të kapërcejnë mospajtimet mbi një plan amerikan për t’i dhënë fund luftës, një draft i cili fillimisht u kritikua si shumë i favorshëm për Moskën.
Propozimi i SHBA-së për paqe në Ukrainë po i nënshtrohet rishikimeve të mëdha. Drafti origjinal përfshinte 28 pika, por pas kundërshtimeve të forta nga Ukraina dhe shqetësimeve të kryeqyteteve evropiane, teksti i ri është reduktuar në 19 pika.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, plani i përditësuar përfshin ndryshime kyçe në çështjet e sigurisë, sovranitetit dhe integrimit të Ukrainës në NATO. Shtetet e Bashkuara flasin për progres të rëndësishëm, ndërsa BE-ja e cilëson tekstin e ri si të modifikuar thellësisht në drejtimin e duhur. Nga ana tjetër, Moska kërkon që çdo plan të pasqyrojë realitetin në terren.
Ndërkohë, luftimet në front vazhdojnë me goditje të reja ruse në Kiev dhe Kharkiv dhe sulme ukrainase në rajonin rus të Krasnodarit.
Bisedimet e fundjavës në Gjenevë nisën me një klimë të tensionuar. Delegacioni ukrainas mësohet se reagoi ashpër ndaj formulimeve të draftit të parë, i cili përfshinte dispozita të cilat Kievi i interpretoi si pranim të humbjeve territoriale dhe kufizime të konsiderueshme në mbrojtjen kombëtare.
Me gjithë rezervat, Ukraina iu bashkua bisedimeve nën presionin e SHBA-së, pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi “pasoja” nëse Kievi nuk bashkëpunonte.
