E paprecedentë në Itali! Një histori me përmasa të paimagjinueshme është zbuluar në Borgo Virgilio, ku një 56-vjeccar hiqej si nëna e tij që kishte ndërruar jetën për të marrë pensionin e saj.
Detaje që nuk i shpëtuan punonjëses së gjendjes civile në Borgo Virgilio, një komunë pranë Mantovës (Itali), ku kjo “grua”, Graziella Dall’Oglio, u paraqit për të rinovuar kartën e identitetit.
Punonjësja e dalloi menjëherë dhe njoftoi eprorët, të cilët lajmëruan kryetarin e bashkisë dhe policinë lokale. Kështu nisi një hetim i brendshëm që krahasoi foton e bërë në komunë dy javë më parë, me atë të kartës së identitetit të skaduar 10 vjet më parë. Dyshimet u forcuan.
Ngjashmëria ishte e dukshme, por po aq e dukshme ishte që ajo nuk mund të ishte zonja Dall’Oglio, një shtëpiake e ve, bashkëshorti i së cilës, mjek, kishte ndërruar jetë disa vite më parë.
Në fakt ishte djali, një infermier aktualisht i papunë, që në versionin “Mrs. Doubtfire” ishte zëvendësuar me nënën. Arsyeja? Zonja kishte vdekur dhe ndoshta jo kohët e fundit, pasi nuk kishte pasur lajme për të prej disa vitesh.
Ndërkohë kishte lajme për pensionin e majmë që djali vazhdonte të merrte duke u shtirur si e ëma dhe duke paraqitur çdo vit një deklaratë të ardhurash në emrin e Graziella Dall’Oglio, jo e vogël: 53 mijë euro, fryt i pensionit të të shoqit mjek dhe të ardhurave nga pasuria e familjes, shtëpi dhe toka.
Historia pati një fund të habitshëm dhe makabër. Punonjësja e ftoi burrin të kthehej në zyrat e komunës për të përfunduar procedurën dhe policët e detyruan të pranonte maskimin.
“Duhet të bëjmë edhe një kontroll në shtëpinë tuaj”, shtuan ata.
“Bëni si të doni”, psherëtiu ai.
Dhe kur hynë në shtëpi, skena ishte tronditëse: në një dhomë ishte nëna, e mumifikuar.
