Që kur Carlo Ancelotti ka zbarkuar në Brazil, imazhi i Seleçaos ka ndryshuar jo pak. Pas vitesh, ku jo vetëm nuk njohin sukses, por kanë pësuar edhe humbje të renda, apo goleada si ndaj Argjentinës dhe Uruguait, me në fund Brazili duket se ka rifituar identitetin e humbur. Tekniku “azzurr” ka ndërtuar një miks shumë të bukur, një grup lojtarësh me shumë eksperiencë por dhe të rinj premtues. Mbi të gjitha peshon shumë fakti që Ancelotti, si një i huaj i parë në histori, është pranuar nga ambienti në Brazil. Impaktin e Ancelotti në ekipin përfaqësues e ka pranuar edhe Ederson:
“Eksperienca e tij, titujt e shumë që ka fituar, mentalitetit i tij, na ka ndihmuar shumë. Me të në stol po shohim një stil të ri, një lojë më të shpejtë, por mbi të gjitha jemi bërë një ekip më kompakt në mbrojtje”, u shpreh Ederson.
Ajo që Ancelotti ka bërë deri më tani në Brazil po pëlqehet shumë edhe nga drejtuesit e Federatës Braziliane të Futbollit, me këta të fundit që po mendojnë t’i ofrojnë një kontratë të re.
Ancelotti firmosi pak kohë më parë një kontratë deri në 2026, pas Botërorit FIFA2026, por besimi i tyre është aq i madh tek Ancelotti sa tani po shqyrtojnë opsionin për t’i ofruar një kontratë të re deri në 2030, në mënyrë që italiani të mbyll ciklin e tij në krye të Brazilit. I pyetur mbi këtë opsion, Ancelotti u shpreh i hapur:
“Ndihem shumë mirë këtu, nuk kam asnjë mendim tjetër në kokë përveç Brazilit. Nuk e kam me nxitim. Nëse do të gjejmë një akord do të isha i lumtur për të vijuar”, u shpreh Ancelotti.
