Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se Moska ka marrë përmes kanaleve jozyrtare planin amerikan për të ndërprerë luftën në Ukrainë, i cili përbëhet nga 28 pika.
Sipas burimeve, Lavrov tha se Rusia nuk ka marrë “asnjë version tjetër” zyrtar të këtij dokumenti.
Ai akuzoi Perëndimin se po përpiqet të “rivizatojë planin e Trump-it dhe të minojë përpjekjet për zgjidhje” të konfliktit. Shtoi se situata “do të ndryshonte” nëse nga plani hiqen marrëveshjet e samitit të Alaskës.
Lavrov refuzoi gjithashtu të komentojë pyetjet e gazetarëve për takimin e supozuar në Abu Dabi mes përfaqësuesish rusë e amerikanë për “planin paqësor”. Moska nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në këto bisedime, dhe përbërja e delegacionit rus mbetet e panjohur.
Sipas mediave amerikane, administrata Trump ka zhvilluar bisedime të fshehta me Rusinë për të hartuar një plan të ri për fundin e luftës.
Axios raportoi se plani ka 28 pika, të ndara në katër seksione kryesore: paqe në Ukrainë, garanci sigurie, siguri në Evropë dhe marrëdhënie të ardhshme SHBA-Rusi-Ukrainë.
Sipas këtyre publikimeve, plani parashikon që Kievi të heqë dorë nga territoret e Donbasit që kontrollon aktualisht, të zvogëlojë madhësinë e ushtrisë dhe të dorëzojë pjesë të mëdha të armatimit.
Transferimi i zonave të mbetura të Donbasit te Rusia do të bëhet, sipas burimeve, në këmbim të garancive sigurie nga SHBA-ja ndaj Ukrainës dhe Evropës – një mekanizëm që ende nuk është sqaruar. Plani gjithashtu kërkon që Ukraina të mos bashkohet kurrë me NATO-n, të pranojë kufijtë aktuale dhe të zhvillojë dialog me Rusinë për sigurinë, duke përfshirë lehtësim sankcionesh dhe rikthimin e Rusisë në G8.
Kongresmenë amerikanë thanë se në një bisedë me ministrin e Jashtëm Marco Rubio, ai e quajti planin amerikan “listë dëshirash ruse” dhe jo propozim zyrtar të Uashingtonit.
Vetë Rubio e mohoi, duke theksuar se “propozimi paqësor u hartua nga SHBA-ja”.
Pas bisedimeve Ukrainë-SHBA të dielën në Gjenevë, Rubio tha se plani i Trump-it bazohet në propozime nga Rusia dhe Ukraina, dhe po shqyrtohet si bazë për negociata të mëtejshme.
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se pas Gjenevës, numri i pikave u zvogëlua nga 28 në 19, duke marrë parasysh shqetësimet e Kievit për pikat e papranueshme.
