Një rast i rëndë grabitjeje dhe përdhunimi ndaj një çifti të ri ka tronditur Italinë, ngjarja ndodhi më 25 tetor në periferi të Romës.
Çifti, dy të rinj italianë 18 dhe 24 vjeç, kishin ndalur makinën në parkun Tor Tre Teste në zonën lindore të kryeqytetit dhe ishin në momente intime, kur u rrethuan papritur nga një grup sulmuesish.
Sipas autoriteteve italiane, grabitësit thyen xhamin e makinës për të marrë celularin e 18-vjeçares që ndodhej në panel.
Më pas i nxorën me forcë të dy të rinjtë jashtë. Dy prej tyre e mbajtën të palëvizur 24-vjeçarin, ndërsa i treti përdhunoi të dashurën e tij para syve të tij. I riu thërriste për ndihmë dhe u lutej të ndalonin, por nuk mundi të çlirohej. Pas sulmit, autorët ikën. Çifti, në gjendje shoku dhe konfuzioni, thirri menjëherë policinë.
Tre marokenë janë arrestuar për përdhunim grupor dhe grabitje.
Dy u kapën nga njësia “Flying Squad” e Romës pak ditë pas ngjarjes, ndërsa i treti u arrestua në Verona. Lajmi për arrestimet u bë publik sot.
Sipas La Stampa-s, të tre u njohën nga viktimat; njëri prej tyre u identifikua nga 18-vjeçarja si përdhunuesi i drejtpërdrejtë dhe tashmë janë në burg hetimor.
Megjithatë, testet e ADN-së nuk përputhen me personin që viktima e tregoi si përdhunuesin kryesor.
Gjurmë ADN-je të tre të arrestuarve u gjetën në makinë, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në sulmin e rëndë, raporton Corriere della Sera.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur nëse ishin të përfshirë edhe 1-2 persona të tjerë. Telefonat e tre të arrestuarve janë sekuestruar dhe do të analizohen.
