Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngritur shqetësimin për dhunë në familje dhe dhunën ndaj grave. Marrë shkak nga rasti i fundit ku në grua u sulmua barbarisht në Gadimë të Ulët, presidentja Osmani thekson se është e patolerueshme, që situata në Kosovë të arrijë në një gjendje të tillë.
“Pas çdo shifre fshihet një jetë e thyer, një fëmijë i traumatizuar, një histori që nuk duhet të përsëritet kurrë”, ka thënë ajo.
Më tej shton se nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për jetën dhe dinjitetin e grave.
“Femicidi vazhdon të jetë një plagë e hapur. Jo thjesht një problem. Jo një statistikë. Por, një krizë kombëtare që po gërryen themelet e shoqërisë sonë, ditë pas dite. Ajo që ndodhi në Gadime të Ulët nuk është thjesht “një rast tjetër”. Një grua, edhe pse e mbrojtur me urdhër aktiv, u sulmua barbarisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj. Kur një urdhër mbrojtjeje mbetet letër, atëherë rreziku bëhet realitet. Dhe realiteti na vret.
Numri i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje po na e thotë troç: letrat nuk shpëtojnë jetë. Zbatimi, vendosmëria, reagimi pa vonesë – po! Sepse pas çdo shifre fshihet një jetë e thyer, një fëmijë i traumatizuar, një histori që nuk duhet të përsëritet kurrë më.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, apeloj për VEPRIM. Me përgjegjësi. Me kujdes. Pa asnjë tolerim. Ashtu siç e kërkon ligji. Ashtu siç e meriton çdo grua dhe vajzë në Republikën e Kosovës.
Çdo hap i gabuar, çdo neglizhencë, çdo vonesë mund të jetë fatale. Askush që ushtron dhunë nuk duhet të ndihet i paprekshëm. Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur. Nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për jetën dhe dinjitetin e grave”, thotë Osmani.

