Ukraina ka konfirmuar se ka arritur një “mirëkuptim të përbashkët” me Shtetet e Bashkuara për një draft-marrëveshje paqeje që synon t’i japë fund luftës me Rusinë, pas pothuajse katër vitesh përleshjesh.

Plani i ri mbështetet në një propozim 28-pikësh të paraqitur nga Uashingtoni javën e kaluar dhe është riformuluar gjatë bisedimeve intensive të fundjavës në Gjenevë midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se drafti është “përmirësuar” me kontribute të të dyja palëve. Ai ka udhëzuar të dërguarin e tij special, Steve Witkoff, të udhëtojë drejt Moskës javën e ardhshme për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa Sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll, pritet të zhvillojë takime të tjera në Kiev.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se është i gatshëm të takohet me Trumpin brenda këtij muaji për të zgjidhur “pikat e ndjeshme” të mbetura pezull. Ai theksoi se mbështet në “bashkëpunim aktiv” me Uashingtonin, duke shtuar se Rusia i kushton vëmendjen më të madhe forcës amerikane.

Zelensky zbuloi se disa dispozita të planit fillestar janë hequr, ndërsa Trump insistoi se do të takohej me Zelenskyn dhe Putinin vetëm kur marrëveshja të jetë përfundimtare ose në fazën e saj të fundit.

Kremlini ka reaguar duke thënë se nuk është njoftuar ende për versionin e ri të draftit. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi se Rusia ishte e hapur ndaj kuadrit fillestar amerikan, por çdo ndryshim “thelbësor” mund ta ndryshojë situatën.

Ai shtoi se Moska, deri të martën në mëngjes, nuk kishte marrë ende një kopje të draftit të rishikuar dhe akuzoi Evropën për përpjekje “për të minuar” iniciativën amerikane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb